Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi(Foto:Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës)

Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi(Foto:Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës)

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi zhvilloi të martën një bisedë telefonike me sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken, me kërkesën e këtij të fundit. Të dy kryediplomatët diskutuan mbi çështjen e Ukrainës dhe problemin bërthamor të Gadishullit Korean.

Blinken-i e njohu Wang-un me pikëpamjet dhe pozicionin e ShBA-së për gjendjen aktuale në Ukrainë. Wang Yi vuri në dukje se Kina është e shqetësuar për zhvillimin e çështjes së Ukrainës, duke theksuar se qëndrimi i Pekinit për këtë çështje ka qenë konsistent. Shqetësimet e ligjshme të sigurisë të çdo vendi duhet të respektohen dhe qëllimet e parimet e Kartës së OKB-së duhet të mbështeten, shtoi kreu i diplomacisë kineze, duke u shprehur se acarimi i problemit të Ukrainës ka ardhur prej vonesës në zbatimin efektiv të Marrëveshjes së Re të Minskut. Ai tha se pala kineze do të vazhdojë të mbajë kontakte me të gjitha palët në përputhje me të drejtat dhe gabimet lidhur me këtë çështje.

Duke vënë në dukje se situata në Ukrainë po përkeqësohet, Wang theksoi se Kina u kërkoi edhe një herë të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, të njohin rëndësinë e zbatimit të parimit të sigurisë së pandashme dhe të çpërshkallëzojnë situatën, duke i zgjidhur dallimet nëpërmjet dialogut dhe negociatave.

Blinken-i gjithashtu e informoi homologun kinez për marrëdhëniet e fundit midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Kinës tha se problemi midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut është në qendër të çështjes bërthamore të Gadishullit Korean, duke vënë në dukje se pala amerikane duhet t'u kushtojë rëndësi shqetësimeve të ligjshme e të arsyeshme të Phenianit dhe të ndërmarrë veprime konkrete. Kina mendon që duhet të zhvillohen bisedime të drejtpërdrejta midis ShBA-së e Koresë së Veriut dhe si gjithmonë do të luajë një rol konstruktiv në promovimin e zgjidhjes së çështjes bërthamore të Gadishullit Korean.(Artan)