Marie Sallois, sekretarja e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) për Markën dhe Vazhdueshmërinë/ Xinhua
Marie Sallois, sekretarja e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) për Markën dhe Vazhdueshmërinë, vlerësoi shfrytëzimin nga Pekini të pallateve sportive për Olimpiadat Verore dhe Dimërore.
Në një konferencë shtypi të organizuar të mërkurën në Qendrën Mediatike të Lojërave Olimpike Dimërore 2022, Sallois shprehu mendimin se ky model i shfrytëzimit të objekteve sportive olimpike përmbledh shumë epërsi të olimpiadave të kaluara lidhur me vazhdueshmërinë.
Shfrytëzimi i objekteve sportive pas veprimtarive të mëdha sportive ka qenë një vështirësi për mbarë botën. Ndërsa në Olimpiadën Dimërore 2022 janë shfrytëzuar shumë pallate e stadiume të Olimpiadës Verore 2008, si Stadiumi Kombëtar, Pallati Kombëtar i Sportit, Qendra Kombëtare e Notit, Qendra Sportive “Wukesong”, Pallati i Sportit i Kryeqytetit etj. Ndërkohë, edhe për shumë objekte sportive të porsandërtuara është marrë parasysh përdorimi pas olimpiadës.
Sallois mendon se ky model i shfrytëzimit të objekteve sportive ofron përvojë për olimpiadat e ardhshme dhe për funksionimin afatgjatë të këtyre objekteve. “Të gjitha objektet për Olimpiadën Dimrore kanë funksione të shumta: për organizimin e veprimtarive sportive, për stërvitje, por edhe për aktivitete kulturore. Shumë prej tyre mund të përdoren në mënyrë të ndryshme në verë dhe në dimër. Ato synojnë grupe të ndryshme njerëzish dhe lloje të ndryshme veprimtarish. Besoj se këto objekte sportive patjetër do të përdoren për një periudhë afatgjatë,” theksoi Sallois. (Wang Lei/ Artan)