Presidenti i Kinës Xi Jinping dërgoi një videomesazh në ceremoninë e hapjes së sesionit të 139-të të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar më 3 shkurt 2022. / Xinhua
Presidenti i Kinës Xi Jinping dërgoi të enjten një videomesazh në ceremoninë e hapjes së sesionit të 139-të të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), duke thënë se Kina do të përpiqet me të gjitha forcat për t’i dhënë botës Lojëra Olimpike Dimërore të efektshme, të sigurta dhe të mrekullueshme.
Xi u shprehu mirëpritjen e ngrohtë presidentit të KON-it Thomas Bach dhe anëtarëve të këtij komiteti që janë mbledhur gjatë Festës së Pranverës dhe zhvilluan sesionin e 139-të të KON-it në Pekin, të parin qytet që organizon si Olimpiadën Verore, ashtu edhe Dimërore.
Xi vuri në dukje se bota e sotme, nën ndikimet e përbashkëta të ndryshimeve të papara gjatë njëqind vjetëve dhe pandemisë që ndodh një herë gjatë një shekulli, po hyn në një periudhë të re turbullirash e transformimi dhe ndodhet përpara sfidave të shumta. Ai tha se KON-i e ka drejtuar lëvizjen olimpike të ecë përpara me guxim, duke luajtur një rol të rëndësishëm dhe të veçantë në nxitjen e solidaritetit dhe bashkëpunimit global për kapërcimin e vështirësive të tanishme.
Kreu i shtetit kinez i shprehu falënderime KON-it për kontributin e tij aktiv shumëvjeçar për zhvillimin e sporteve në Kinë dhe për përkrahjen e drejtimin e tij të fuqishëm për Kinën në përgatitjen e Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022.
Xi theksoi se nga “Pekin 2008” me moton “Një botë, një ëndërr” deri në “Pekin 2022” me moton “Së bashku për një të ardhme të përbashkët”, Kina ka marrë pjesë aktivisht në lëvizjen olimpike dhe ka zhvilluar frymën olimpike, duke e zbatuar idenë olimpike me veprime konkrete.
“Gjatë përgatitjes dhe organizimit të Lojërave Dimërore, kemi nxitur me sukses pjesëmarrjen e 300 milionë kinezëve në sportet dimërore. Kemi realizuar edhe zhvillimin rajonal, mbrojtjen ekologjike, zgjidhjet e gjelbra e novatore dhe përmirësimin e jetesës së popullit në Kinë, gjë që krijon hapësirë më të madhe për zhvillimin më të gjerë të sporteve dimërore,” theksoi ai.
Duke vënë në dukje se Lojërat Olimpike Dimërore 2022 do të hapen të premten, Xi tha se bota e ka përqendruar vëmendjen te Kina dhe Kina është e gatshme: “Kina do t’i japë botës lojëra të efektshme, të sigurta dhe të mrekullueshme, duke konkretizuar moton olimpike ‘Më shpejt, më lart, më fort - së bashku’.” (Wang Lei/ Artan)