foto nga VCG

foto nga VCG

Një vit më parë, kur Kina u bë ekonomia e vetme e madhe që realizoi rritje, agjencia “Bloomberg” raportoi se rritja e Kinës po ndihmon rimëkëmbjen e ekonomisë globale. Një vit më vonë, publikimi i të dhënave ekonomike për vitin 2021 tregoi se ekonomia kineze ka përmbushur shpresat globale dhe është bërë një forcë e rëndësishme që udhëheq rimëkëmbjen e ekonomisë botërore.

Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës të hënën, ekonomia kineze vazhdoi të mëkëmbet në mënyrë të qëndrueshme në vitin 2021 dhe objektivat kryesore të pritshme u realizuan plotësisht. Vëllimi i përgjithshëm ekonomik i kaloi 110 trilionë juanët, duke zënë vendin e dytë të botës, me një rritje 8.1% në krahasim me vitin 2020. Kjo shpejtësi e rritjes është në përputhje me pritshmëritë e përgjithshme të ekonomistëve dhe vazhdon të renditet në krye të ekonomive kryesore të botës, duke treguar edhe një herë qëndrueshmërinë dhe gjallërinë e madhe të ekonomisë kineze.

foto nga VCG

foto nga VCG

Rimëkëmbja e qëndrueshme e ekonomisë kineze përfitoi nga zgjerimi i vazhdueshëm i kërkesës së brendshme. Epërsitë e tregut supergjigant kinez u shpërfaqën plotësisht, kërkesa e brendshme u bë forca kyçe për rritjen ekonomike dhe roli kryesor i qarkullimit të brendshëm u forcua.

Në të njëjtën kohë, promovimi i ndërsjellë i qarkullimit të brendshëm dhe atij të jashtëm ka kontribuuar në rimëkëmbjen e qëndrueshme të ekonomisë kineze. Nga njëra anë, zgjerimi i kërkesës së brendshme nxiti importet, nga ana tjetër, zgjerimi i kërkesës së jashtme i dha hov eksportit.

foto nga VCG

foto nga VCG

Si ekonomia e dytë më e madhe në botë, rimëkëmbja e vazhdueshme e ekonomisë kineze ka efekte të forta përhapëse. Sipas parashikimit paraprak të Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës, shkalla e kontributit të rritjes ekonomike të Kinës në rritjen ekonomike globale pritet të arrijë rreth 25 % në vitin 2021.

foto nga VCG

foto nga VCG

Në sfondin e ngadalësimit të tregtisë dhe të investimeve globale, kërkesa e fortë në tregun kinez u ka ofruar kompanive botërore mundësi investimesh. Siç ka thënë analisti Jacob Gunter nga Instituti i Studimeve për Kinën “Mercator”, në krahasim me vendet e tjera të botës, Kina ka parandaluar dhe kontrolluar fuqimisht epideminë, rritja ekonomike ka mbetur e fortë dhe kompanitë do të bëjnë investime me fitime të mira.

Aktualisht, mjedisi ekonomik që Kina po përballon, është ende kompleks dhe serioz, por bazat e rritjes ekonomike afatgjatë nuk kanë ndryshuar. Sidomos që nga shpërthimi i COVID-19, qeveria kineze këmbëngul në politikën shkencore antiepidemike “Jeta e para” dhe nuk ka marrë masa të forta stimuluese në politikat ekonomike, por ka ofruar ndihmë të shënjestruar për subjektet e tregut. (Fang Xiaoyu/Artan)