Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij turkmenistanas, Gurbanguly Berdymukhamedov, shkëmbyen të enjten urime për 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Në mesazhin e tij, Xi Jinping-u tha se gjatë 30 vjetëve të fundit, marrëdhëniet ndërmjet Kinës e Turkmenistanit janë zhvilluar me ritme të shpejta.

Ai vuri në dukje se Kina ishte vendi i parë që vendosi lidhje diplomatike me Turkmenistanin dhe një nga vendet e para që mbështeti politikën e asnjanësisë së përhershme të Turkmenistanit. Po ashtu, Kina ka krijuar partneritetin e parë strategjik me Turkmenistanin nëpërmjet një dokumenti politik dhe është gjithashtu partnerja më e madhe tregtare e gazit natyror të Turkmenistanit.

Zhvillimi i marrëdhënieve kino-turkmenistanase jo vetëm që ka sjellë përfitime të prekshme për të dy vendet dhe popujt e tyre, por gjithashtu ka dhënë kontribut të rëndësishëm për ruajtjen e paqes dhe të qëndrueshmërisë rajonale, tha Xi.

Ai theksoi se Kina u kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve me Turkmenistanin dhe, si gjithmonë, do të mbështesë me vendosmëri këtë vend të Azisë Qendrore në ndjekjen e një rruge zhvillimi të përshtatshme për kushtet e veta, duke mbrojtur sovranitetin e pavarësinë kombëtare dhe duke mbështetur politikën e tij të asnjanësisë së përhershme.

Xi Jinping-u u shpreh më tej se dëshiron të ruajë kontaktet e ngushta me Berdymukhamedov-in, duke e shfrytëzuar 30-vjetorin si një mundësi për të thelluar vazhdimisht bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë në fusha të ndryshme dhe për ta ngritur së bashku partneritetin strategjik Kinë-Turkmenistan në nivele të reja për të mirën e dy vendeve dhe popujve të tyre.

Në mesazhin e tij, Berdymukhamedov-i tha se, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, Turkmenistani dhe Kina kanë zhvilluar bashkëpunim të gjerë e të gjithanshëm dhe kanë krijuar një mekanizëm të posaçëm bashkërendues në shumë nivele. Kina ka qenë një partnere e madhe tregtare e Turkmenistanit për shumë vjet me radhë, gjë që përfaqëson bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë midis dy palëve.

Turkmenistani, shtoi ai, u kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve dypalëshe dhe është i gatshëm të punojë ngushtë me Kinën bazuar në parimet e barazisë, respektit dhe interesave të ndërsjellë, dhe të bëjë të gjitha përpjekjet për të promovuar ngritjen e këtyre marrëdhënieve në nivele më të larta.