“China Rare Earth Group Co., Ltd”, një ndërmarrje shtetërore, u themelua në provincën lindore kineze të Jiangxi. Grupi u krijua së bashku nga tre kompani, “Aluminium Corporation of China”, “China Minmetals Corporation”, “Ganzhou Rare Earth Group Co., Ltd” dhe dy kompani kërkimore, “China Iron & Steel Research Institute Group” dhe “Grinm Group Corporation Ltd.”.

Kompania e re do të funksionojë nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Komisionit të Mbikëqyrjes dhe Administrimit të Pasurive të Këshillit të Shtetit dhe do të ketë shumë aksionerë.

Grupi do të fokusohet në kërkimin, eksplorimin, shkrirjen dhe përpunimin e thellë të të ashtuquajturave “toka të rralla”. Gjithashtu do të përfshihet edhe prodhimi i pajisjeve, inkubacioni industrial, shërbimet këshillimore teknike dhe tregtia e jashtme, përcjell “Xinhua”.

Sipas përfaqësuesve të grupit, themelimi i kompanisë kontribuon në rritjen e investimeve në kërkimin shkencor, integrimin e burimeve dhe përmirësimin e aplikimeve të teknologjive dhe materialeve të reja. (Irma)