Foto:VCG

Foto:VCG

Zyra e Komisionarit të Ministrisë së Jashtme të Kinës në Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut (HKSAR) ka kundërshtuar dhe dënuar me vendosmëri deklaratën e bërë nga ministrat e jashtëm të disa vendeve për zgjedhjet e Këshillit të 7-të Legjislativ të HKSAR-it.

Ministrat e jashtëm të Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Australisë, Kanadasë dhe Zelandës së Re njollosën sistemin e ri zgjedhor të Hong-Kongut, vunë në dyshim autoritetin e rezultateve të zgjedhjeve, u dhanë zemër elementëve antikinezë në Hong-Kong dhe ndërhynë në punët e brendshme të Kinës, tha një zëdhënës i Zyrës të hënën.

Libri i bardhë i titulluar "Hong-Kong: Përparimi demokratik në kuadrin e parimit ‘Një vend, dy sisteme’," i publikuar nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës të hënën, vëren qartë se qeveria kineze projektoi, krijoi, mbrojti dhe çoi përpara sistemin e demokracisë së Hong-Kongut, u shpreh zëdhënësi.

"Sistemi zgjedhor i përmirësuar nga qeveria qendrore tregon se demokracia në Hong-Kong po përparon me kohën dhe hedh një themel të fortë për zhvillimin e shëndetshëm dhe afatgjatë të demokracisë në Hong-Kong," tha ai.

Ligjvënës të sapozgjedhur, Hong Kong(VCG)

Ligjvënës të sapozgjedhur, Hong Kong(VCG)

Qytetarë votojnë, Hong Kong(VCG)

Qytetarë votojnë, Hong Kong(VCG)

Zëdhënësi theksoi më tej se, sipas sistemit të ri zgjedhor, zgjedhjet për Këshillin Legjislativ vunë në jetë misionin e vet origjinal për të zgjedhur të aftët dhe për t'u shërbyer njerëzve, minimizuan përçarjet e brendshme e mbarëpolitizimin dhe pasqyruan kërkesën e opinionit publik të Hong-Kongut për qëndrueshmëri dhe zhvillim, duke çelur një epokë të re të demokracisë cilësore në Hong-Kong.

Ai vuri në dukje më tej se qeverisja nga patriotët është një etikë politike e përbashkët dhe sigurimi i ndjenjës së identitetit kombëtar dhe besnikërisë politike të mbajtësve të posteve publike është një praktikë e zakonshme ndërkombëtare, duke shtuar se sistemi i ri zgjedhor karakterizohet nga një gjithëpërfshirje e larmi e madhe dhe u shërben interesave themelore të banorëve të Hong-Kongut.

“Ne u bëjmë thirrje politikanëve në vendet përkatëse të respektojnë prirjen historike të kohës, të zbatojnë parimet e së drejtës ndërkombëtare si mosndërhyrja në punët e brendshme të të tjerëve e normat bazë që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe të ndalojnë ndërhyrjen e çfarëdo forme në çështjet e Hong-Kongut dhe punët e brendshme të Kinës”, u shpreh zëdhënësi i Zyrës e Komisionarit të Ministrisë së Jashtme kineze në Hong-Kong.(Artan)