Foto:Prezantimi i fushatës në Uebsitin e qeverisë kineze

Foto:Prezantimi i fushatës në Uebsitin e qeverisë kineze

Kinezët janë ftuar të japin këshillat e tyre në internet për punën vjetore të qeverisë në një fushatë masive të kërkimit të opinionit që zhvillohet çdo vit për tetë vjet rresht.

Duke filluar nga e hëna, publiku mund të marrë pjesë në fushatën e quajtur "Ndani idetë tuaja me Kryeministrin", për të paraqitur sugjerimet e tyre mbi më shumë se 20 tema, duke përfshirë funksionimin e biznesit, punësimin dhe sipërmarrjen, risitë teknologjike, arsimin, shëndetin, kujdesin për të moshuarit e për fëmijët, parandalimin dhe kontrollin e epidemisë dhe gjallërimin rural.

Fushata do të vazhdojë deri në sesionet vjetore të organit më të lartë ligjvënës kombëtar dhe organit këshillues politik kombëtar në vitin 2022.

Disa sugjerime të vlefshme mund të luajnë një rol në politikëbërjen e qeverisë. Në fushatën e vitit të kaluar, rreth 1200 këshilla iu paraqitën grupit hartues të raportit vjetor mbi punën e qeverisë, një dokument kryesor që paraqitet për diskutim gjatë dy sesioneve.

Sugjerimet mund të dorëzohen në “www.gov.cn”, aplikacionin në celular të Këshillit të Shtetit dhe apletet në platforma të shumta, si dhe uebsajtet dhe platformat e tjera përkatëse.

Fushata nisi nga “www.gov.cn” në bashkëpunim me 22 platforma interneti, duke përfshirë “people.com.cn” dhe “xinhuanet.com”.(Artan)