Foto: Një pamje e qytetit të Pekinit marrë nga sateliti “SDGSAT-1”, 26 nëntor 2021. /Qendra Ndërkombëtare Kërkimore e të Dhënave të Mëdha për Objektivat e Zhvillimit të Vazhdueshëm

Foto: Një pamje e qytetit të Pekinit marrë nga sateliti “SDGSAT-1”, 26 nëntor 2021. /Qendra Ndërkombëtare Kërkimore e të Dhënave të Mëdha për Objektivat e Zhvillimit të Vazhdueshëm

Të hënën u publikuan në Pekin një numër pamjesh të marra nga sateliti kinez “SDGSAT-1” për të ndihmuar në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Vazhdueshëm të OKB-së.

Kjo është hera e parë që publikohen pamjet e satelitit pas lëshimit të tij më 5 nëntor.

“SDGSAT-1” përdori tre imazhues të ndryshëm për të bërë fotografi me sensorë në largësi, duke treguar dendësinë e popullsisë në qytetet e Pekinit, Shangait e Parisit dhe kushtet mjedisore në vende të tilla si delta e lumit Jance në Kinën Lindore dhe liqeni Namtso në rrafshnaltën Qinghai-Tibet në Kinën Jugperëndimore.

“SDGSAT-1” është sateliti i parë për të dhënat e Tokës që ndihmon për arritjen e 17 objektivave të "Agjendës për Zhvillim të Vazhdueshëm 2030" të përcaktuar nga OKB-ja në vitin 2015, për të nxitur veprimet mbi zgjidhjen e problemeve shoqërore, ekonomike e mjedisore për njerëzimin dhe planetin.

Fotot janë shkrepur nga imazhuesit termikë infra të kuq dhe shumëspektrorë të satelitit, të cilët mund të punojnë në mënyrë të shumëfishtë dhe në të gjitha kushtet e motit për të vëzhguar me saktësi ndryshimet mjedisore në Tokë të lidhura me aktivitetet njerëzore si urbanizimi, strehimi dhe konsumi i energjisë.

Akademia Kineze e Shkencave, organizatorja e projektit shkencor, publikoi detajet e pamjeve të hënën.

Sipas një njoftimi për shtypin, imazhuesi tregoi nivelin e zhvillimit socio-ekonomik dhe modelin e popullsisë. Ai ka një brez pankromatik dhe tre breza ngjyrash me rezolucione hapësinore 10 dhe 40 metra. Të dhënat e tij, të kombinuara me të dhënat e biznesit, shoqërore dhe njerëzore, mund të ndihmojnë në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Vazhdueshëm të OKB-së në lidhje me ndërtimin e qyteteve dhe komuniteteve të qëndrueshme, si dhe mbrojtjen e krijesave nënujore.

Imazhuesi shumëspektral ka shtatë breza dhe rezolucioni i tij hapësinor është 10 metra. Akademia Kineze e Shkencave tha se të dhënat përmes një imazhuesi të tillë me raport të lartë të zhurmës së sinjalit do të ndihmojnë në monitorimin e cilësisë së ujit, ekosistemit bregdetar, ndryshimeve të akullnajave dhe krijesave të tokës.

Imazhuesi termik me rreze infra të kuqe ka dizajnin e ri të tre brezave dhe rezolucion hapësinor prej 30 metrash. Gjerësia e tij e funksionimit është rreth 300 kilometra dhe mund të dallojë një dallim temperature prej 0.2 gradësh Celsius.

Akademia Kineze e Shkencave thotë se ai mund të përdoret në monitorimin e saktë të temperaturës së sipërfaqes së tokës e ujit dhe të ofrojë të dhëna bazë për rritjen e kulturave bujqësore, konsumin e energjisë dhe parashikimin e shfaqjes së dëmtuesve dhe sëmundjeve.(Artan)