Foto: VCG

Foto: VCG

Kina ka dënuar shtypjen e papërligjur të kompanive kineze nga ShBA-ja, pasi të enjten administrata e Biden-it goditi firma dhe institucione të tjera kineze me kufizim të investimeve dhe eksporteve.

Ambasada kineze në Uashington tha se ShBA-ja kishte shkelur rregullat e tregtisë së lirë dhe se Kina do të ndërmarrë veprime për të përkrahur interesat e kompanive dhe të institucioneve kërkimore kineze.

"Zhvillimi i bioteknologjisë në Kinë ka qenë gjithmonë për mirëqenien e njerëzimit. Pretendimet e palës amerikane janë krejtësisht të pabaza," tha zëdhënësi i ambasadës Liu Pengyu.

Departamenti amerikan i Thesarit shtoi tetë firma teknologjike kineze, duke përfshirë prodhuesin e dronëve “DJI Technology”, në një listë të zezë investimesh, duke pretenduar se këto subjekte "mbështesin mbikëqyrjen biometrike dhe gjurmimin e pakicave kombëtare dhe fetare në Kinë".

Firma e inteligjencës artificiale “Megvii Technology”, e cila është në listë, tha se "e kundërshton fuqimisht masën" dhe se akuza që ajo ka krijuar "softuer të personalizuar për të kryer aktivitetet e mbikëqyrjes së pakicave kombëtare" ishte "e pabazë".

Po atë ditë, Departamenti i Tregtisë i ShBA-së shtoi 34 kompani dhe institucione kineze në listën e subjekteve që u kufizohet eksporti, duke përfshirë Akademinë e Shkencave Mjekësore Ushtarake të Kinës dhe 11 institutet e saj kërkimore, të cilat u shtuan në listë për mbështetjen ose bashkëpunimin e hamendësuar me ushtrinë kineze.