Foto: VCG

Foto: VCG

Kina dhe Franca kanë rënë dakord në një takim të rregullt dypalësh për të zgjeruar bashkëpunimin në zhvillimin ekonomik që mbron mjedisin, duke mbështetur vendet më pak të pasura dhe luftimin e epidemisë së COVID-19.

Zv.kryeministri kinez Hu Chunhua dhe ministri francez i Ekonomisë dhe Financave Bruno Le Maire drejtuan së bashku Dialogun e 8-të Ekonomik dhe Financiar të Nivelit të Lartë Kinë-Francë të hënën përmes lidhjes me video.

Hu tha se, nën drejtimin e liderëve të të dy vendeve, bashkëpunimi praktik midis Kinës dhe Francës ka bërë përparim të ri e pozitiv, tregtia dypalëshe ka arritur rekord, investimet e dyanshme janë rritur me shpejtësi, bashkëpunimi bujqësor ka arritur rezultate të jashtëzakonshme dhe bashkëpunimi në fushat e reja ka bërë përparim të qëndrueshëm.

Kina është e gatshme të punojë së bashku me palën franceze për të zbatuar konsensusin e arritur nga dy krerët e shteteve, për të forcuar bashkëpunimin në çështjet ndërkombëtare e shumëpalëshe përballë pandemisë së COVID-19 dhe për të thelluar bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella në fusha kyçe, vuri në dukje Hu.

Le Maire, nga ana e tij, u shpreh se Franca u kushton rëndësi të madhe lidhjeve dypalëshe dhe është e gatshme të punojë me Kinën për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe financiar.

Franca është e gatshme të forcojë komunikimin dhe bashkërendimin me Kinën për çështje shumëpalëshe, duke përfshirë përgjigjen ndaj ndryshimeve klimatike, mbrojtjen e biodiversitetit dhe reformën e OBT-së, tha ministri francez.

Franca shpreson të thellojë bashkëpunimin me Kinën në fushën e bujqësisë e të financave dhe në tregjet e palëve të treta dhe të promovojë bashkëpunimin pragmatik dypalësh për të arritur rezultate të tjera pozitive, shtoi ai. (Çang Çuo)