"Forumi Ndërkombëtar për Demokracinë: Vlerat e Përbashkëta Njerëzore" po mbahet në Pekin me më shumë se 500 politikanë dhe studiues të lartë vendas dhe të huaj nga mbi 120 vende, rajone dhe organizata ndërkombëtare që marrin pjesë në veprimtarinë gjashtë-ditore.

Forumi:Vlerat e Përbashkëta Njerëzore

Forumi:Vlerat e Përbashkëta Njerëzore

Dr. Marsela Musabelliu, Drejtore Ekzekutive e Institutit Shqiptar për Studimet e Globalizimit ishte ftuar të marrë pjesë në këtë forum nga Akademia e Shkencave Sociale të Kinës.

Forumi u mbajt në një format hibrid dhe mblodhi jo vetëm përfaqësues të komuniteteve akademike nga të gjitha kontinentet, por edhe dhjetëra ish-krerë shtetesh dhe qeverish, si dhe ministra të punëve të jashtme. Dr. Musabelliu mbajti një referat në 9 dhjetor në panelin e titulluar: “Demokracia, Mirëqeverisja dhe Stabiliteti Politik.”

Fjalimet e hapjes së eventit u mbajtën nga përfaqësues të lartë politik, Huang Kunming, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe kreu i Departamentit të Publicitetit të Komitetit Qendror të PKK-së. Përfaqësues i medias, z. Shen Haixiong, president i Grupit Mediatik Kinez (CMG); dhe përfaqësues akademik, z. Xie Fuzhan, president i Akademisë së Shkencave Sociale të Kinës. Sikurse pala pritëse në Pekin, politikanë, ish-politikanë, akademikë, analistë dhe hulumtues nga mbarë bota shprehën idetë dhe pikëpamjet e tyre mbi demokracinë në shekullin XXI.

Musabelliu shprehu në fjalën e saj se në këto kohë sfiduese, të gjithë po lundrojmë nëpër pasiguri, midis luftërave personale dhe kombëtare. Vlerat njerëzore kanë një implikim moral; ato përcaktojnë se si e shohim dhe e jetojmë jetën tonë. Nga ana tjetër, vlerat janë sa personale aq edhe universale. Qendron pyetja: cilat janë vlerat thelbësore që janë të ngjashme për të gjithë njerëzit. Çfarë duhet të përmbajë një demokraci që përmbush qëllimet, synimet dhe vlera të përbashkëta njerëzore?

Ҫfarë i bashkon të gjithë, pavarësisht nga kultura, prejardhja ose kombësia, janë aspiratat tona për një jetë më të mirë.

Mirëqenia – para së gjithash, për sa i përket shëndetit dhe jetës. Detyra e sigurimit të mirëqenies bie mbi politikëbërësit jo vetëm në shkallë kombëtare, por edhe në shkallë ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse qeverisja globale duhet të jetë më gjithëpërfshirëse dhe më pak instrumentale.

Eliminimi i varfërisë – Varfëria është një problem i shumëanshëm që kërkon një qasje ndërsektoriale. Pandemia e COVID-19 ka testuar qëndrueshmërinë e ekonomisë botërore dhe ka vendosur tendosje të jashtëzakonshme sociale dhe ekonomike kudo. Për të mbështetur më të varfrit dhe më të ekspozuarit ndaj këtyre rënieve ekonomike, nevojitet një reagim i menjëhershëm socio-ekonomik. Situata në mbarë botën kërkon një rritje të jashtëzakonshme të mbështetjes ndërkombëtare dhe angazhimit politik për të siguruar që njerëzit kudo që janë të kenë akses në shërbimet thelbësore.

Dr. Marsela Musabelliu në forumin

Dr. Marsela Musabelliu në forumin

Mundësitë – në një botë të ndërlidhur, lehtësimi i lidhjes do të thotë më shumë mundësi për të gjithë. Praktikat izolacioniste të shfaqura vitet e fundit dëmtojnë procesin e njohjes së realiteteve të njëri-tjetrit dhe nëse ky proces pengohet, mund të lindin ide të njëanshme dhe qëndrime konfliktuale. Shkëmbimi ndërkulturor është shumë i nevojshëm dhe na bën të njohim njëri-tjetrin, traditën, rrënjët, trashëgiminë dhe sjelljen. Sa më shumë ta njohim njëri-tjetrin aq më shumë mundësi do të krijohen.

Problemi i pabarazisë – ndarja veri-jug dhe shpërndarja e pabarabartë e pasurisë po krijon pakënaqësi dhe konflikte përherë e në rritje. Ajo që njerëzit kanë nevojë është një shpërndarje më e ekuilibruar dhe më e përhapur e pasurisë, për të gjithë pa përjashtim apo margjinalizim.

Zhvillimi dhe Progresi – Asnjë vend nuk mund t'ia dalë vetëm; bashkëpunimi është çelësi për përpjekjet kundër pandemisë, ndryshimet klimatike, hapja dhe gjithëpërfshirja në praktikat tregtare, qëndrueshmëria dhe shumë më tepër. Ne nuk jemi më entitete të veçanta; nëse një situatë përkeqësohet në një komb, do të ketë pasoja negative në tjetrin; dhe nëse zhvillimi dhe progresi janë të pranishëm në një vend, do të ketë pasoja pozitive në të tjerët.

Një mentalitet jokonfrontues – sado që vështirësitë janë të shumta, rritja e nivelit të konfrontimeve, për interesat e disave, po dëmton jo vetëm palët e përfshira, por edhe palët e treta. Nëse ka pasur një moment në historinë moderne që ka nevojë për zëra bashkues, është ai në të cilin po jetojmë. Rreziku i ndarjes së kombeve të botës në fronte ideologjike, nuk është vetëm kundërproduktiv, por edhe jashtëzakonisht i rrezikshëm.

Dinjiteti – si Vlera Përfundimtare përfshin atë që të gjitha sa më sipër arrijnë, nëse zbatohen siç duhet. Ajo për të cilën çdo njeri ka nevojë është një jetë që ia vlen të jetohet, një jetë që pavarësisht se në cilin cep të botës jeton, është një jetë e jetuar me dinjitet. Këto vlera të përbashkëta të njerëzimit janë forca qendrore që duhet të drejtojnë politikëbërësit në mbarë botën.

Demokracia duhet gjykuar dhe vlerësuar me kalibrin e mirëqenies se njerëzve. Demokracia duhet t'i shërbejë qëllimit përfundimtar të dinjitetit njerëzor dhe jo të jetë thjesht një format fiks në të cilin mund të zbatohen supozimet dhe praktikat e së kaluarës.

Ajo që shohim në Kinë është një përmbushje e të gjitha sa më sipër me një establishment politik që respekton angazhimet e tij, duke ofruar atë që populli kinez po kërkon.

Demokracia e Kinës përqafon filozofinë e përqendruar te njerëzit, dhe kjo dëshmohet me programin mbresëlënës të zhdukjes së varfërisë. Koncepti i zhvillimit gjithëpërfshirës, ose zhvillimit të përbashkët i shfaqur në sloganin kinez "askush nuk do të mbetet prapa" rezonon jashtëzakonisht shumë me vendet në mbarë botën që po përpiqen për standarde më të mira jetese dhe më shumë prosperitet në shoqëritë e tyre. Progresi dhe zhvillimi kanë qenë fjalë kyçe për rrugën kineze drejt realizimit të përtëritjes kombëtare.

Në shkallë ndërkombëtare, Kina ka zgjedhur gjithmonë bashkëpunimin dhe jo konfrontimin. Si një fuqi e madhe e përgjegjshme, Kina ka mbrojtur paqen dhe zhvillimin, sigurinë dhe stabilitetin, multilateralizmin dhe bashkëpunimin fitues. Udhëheqja e Kinës është e veshur qartë me një vizion global dhe një ndjenjë të fortë përgjegjësie,duke i shërbyer vendit dhe duke kontribuar për botën, mbështet me vendosmëri rendin ndërkombëtar.

Kina ka mbrojtur rritjen e koordinimit të politikave makroekonomike dhe promovimin e përbashkët të rritjes ekonomike globale të fortë, të qëndrueshme, të balancuar dhe gjithëpërfshirëse. Duke balancuar efektivisht parandalimin dhe kontrollin e epidemisë me zhvillimin ekonomik dhe social, vendi ka stabilizuar rritjen ekonomike, duke injektuar një shtysë të fortë në rimëkëmbjen dhe zhvillimin e ekonomisë botërore. Kina ka zgjeruar në mënyrë të qëndrueshme hapjen e saj, duke ofruar mundësi të rëndësishme zhvillimi për vendet në mbarë botën, Iniciativa “Një brez, një rrugë” është shembulli kryesor i kësaj politike.

Një nga kërcënimet e pashmangshme që mbulon botën sot, shkon përtej qasjes fizike; synimi i disa shteteve është të krijojnë një ndarje të re ideologjike. Ajo merr riformatimin e mentalitetit të luftës së ftohtë dhe projekton frikën e saj në shekullin e 21-të. Duke luajtur me semantikën, frikën e natyrshme njerëzore, dikotominë e së mirës dhe së keqes, duke qenë se një botë e ndërlidhur nuk mund të ndahet fizikisht, ata përpiqen ta ndajnë atë emocionalisht.

Kjo nuk i shërben askujt, nuk ndihmon askënd dhe vetëm mund të përhapë frikë dhe të sjellë ankth. Ajo i shërben qëllimit të shumë pak njerëzve në kurriz të shumicës së kombeve.

Forumi:Vlerat e Përbashkëta Njerëzore

Forumi:Vlerat e Përbashkëta Njerëzore

Nocionet tona të demokracisë janë goditur dhe shtrembëruar nga realiteti. Dëgjojmë për "demokraci të ngrirë", "demokraci tranzicionale" e kështu me radhë. Si mund të quhet demokraci një sistem ku vendet e vogla dhe të dobëta bëhen laborator për masat shtrënguese dhe terren testimi për eksperimente shoqërore? Vetëm për hir të denominimit dhe sistemit politik, për disa vende ajo që u premtua si demokraci po shfaqet si një fazë tranzicioni e pafund ku mbizotëron vetëm i ashtuquajturi “turbokapitalizëm” i cili i përgjigjet vetëm lakmisë, forcës dhe korrupsionit.

Ne duhet të shfrytëzojmë potencialet e bashkëpunimit në mënyrë që të shfaqim dhe të punojmë së bashku për vlerat tona. Lind nevoja për të shënjestruar sfidat dhe dobësitë duke i adresuar ato në kohën e duhur, me përgjigjen e duhur dhe për të përfituar nga forcat dhe mundësitë ekzistuese, në mënyrë që ajo që është ndërtuar tashmë të bëhet themeli për një të ardhme të fortë për të gjithë.

Le të bashkëpunojmë, të thellojmë njohuritë dhe të shkëmbejmë ide, të promovojmë programe të përbashkëta, të zgjerojmë solidaritetin, sepse nëse këto kohë na mësuan diçka, është se askush nuk mund t'ia dalë i vetëm. Për të kapërcyer këto kohë të vështira, fjala kyçe është bashkëpunimi dhe korniza kryesore është multilateralizmi.

Në këtë komunitet të së ardhmes së përbashkët për të gjithë njerëzimin, duke ndarë përvojat tona, duke punuar së bashku për të krijuar mundësi të reja, dhe duke punuar për zhvillim dhe përparim, do të mund të krijojmë më shumë shanse, që ne të gjithë të mund të përmbushim potencialin tonë njerëzor me dinjitet.