foto nga CGTN

foto nga CGTN

Nikaragua nënshkroi të premten me Kinën një komunikatë të përbashkët për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike, duke ndërprerë të ashtuquajturat "lidhje diplomatike" me Tajvanin e Kinës.
Duke njohur parimin e “Një Kine”, Nikaragua ka pasuar disa vende të tjera të Amerikës Qendrore në marrjen e një vendimi të drejtë, duke zgjedhur të qëndrojë në anën e duhur të historisë.
Në vitin 2007, Kosta-Rika u bë vendi i parë në rajon që krijoi lidhje diplomatike me Kinën në shekullin e ri. Katër vjet më vonë, hyri në fuqi një pakt i tregtisë së lirë midis dy vendeve dhe tregtia dypalëshe ka lulëzuar që atëherë.
Nga viti 2007 deri në 2020-n, eksportet e Kosta-Rikës në Kinë u rritën gati pesëfish. Mallrat e eksportuara në tregun kinez janë bërë gjithnjë e më të larmishme dhe bashkëpunimi dypalësh në fusha të ndryshme vijon të forcohet.
Pas Kosta-Rikës, Panamaja, Dominika dhe Salvadori gjithashtu vendosën lidhje diplomatike me Kinën. Përveç kësaj, kandidatja presidenciale e Hondurasit Xiomara Castro u zotua gjatë fushatës së saj zgjedhore se do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kinën. Të gjitha këto kanë treguar edhe një herë se parimi i “Një Kine” përputhet me vullnetin e popullit dhe prirjen e kohës, prandaj është i pandalshëm.
Megjithatë, për shumë kohë, një pjesë e vogël e njerëzve në disa vende kanë shkuar kundër prirjes së përgjithshme dhe kanë luajtur me zjarrin për çështjen e Tajvanit. Ata përpiqen të sfidojnë vijën e kuqe të Kinës dhe ta shtypin Kinën duke luajtur "kartën e Tajvanit".
Për shembull, një javë përpara se Hondurasi të zhvillonte zgjedhjet e tij të përgjithshme, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet e Hemisferës Perëndimore Brian A. Nichols shkoi në këtë vend të Amerikës Qendrore. Ai u takua aty me njerëz nga të gjitha sferat e jetës dhe u bëri të qartë kandidatëve presidencialë se Shtetet e Bashkuara duan që Hondurasi të ruajë të ashtuquajturat "lidhje diplomatike" me Tajvanin.
Njerëzit mund të dallojnë të drejtën nga e gabuara. Është një gabim i madh nëse dikush beson se luajtja e "kartës së Tajvanit" mund të dëmtojë interesat e Kinës dhe të pengojë zhvillimin e saj. Përpjekjet e Uashingtonit nuk e ndryshuan rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Honduras dhe as nuk e penguan Nikaraguan të bëjë zgjedhjen e drejtë.
Ka vetëm një Kinë në botë dhe Tajvani është pjesë e patjetërsueshme territoriale e Kinës. Ky është një fakt historik e ligjor që nuk mund të ndryshohet dhe të sfidohet.
Tani Nikaragua është bërë vendi i 181-të në botë që njeh dhe mbështet parimin e “Një Kine”. Guximi i këtij vendi të Amerikës Qendrore për të marrë një vendim të tillë meriton edhe më shumë respekt e admirim në një kohë kur Shtetet e Bashkuara dhe autoriteti i Partisë Demokratike Progresive të Tajvanit po bashkëpunojnë për të krijuar probleme në brigjet e ngushticës.
Për Nikaraguan, qëndrimi në anën e Kinës është një zgjedhje e drejtë dhe që sjell përfitime për vendin dhe popullin e tij. (Artan)