Me rastin e 80-vjetorit të fillimit në Kinë të transmetimit të programeve radiofonike për botën e jashtme, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së dhe kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping dërgoi një letër urimi, duke shprehur urime të ngrohta për të gjithë stafin e Grupit Mediatik të Kinës (CMG) dhe përshëndetje të sinqerta për miqtë e huaj që kanë dhënë përkrahje për programet radiofonike të Kinës për jashtë vendit.

Xi vuri në dukje se gjatë 80 vjetëve, nën drejtimin e PKK-së, punonjësit e programeve radiofonike për botën e jashtme kanë përhapur traditën e mirë të vendit, kanë mbajtur mirë në mendje misionin origjinal dhe kanë bërë një paraqitje të gjithanshme të zhvillimit të Kinës, duke treguar mirë historinë e Kinës dhe duke përhapur zërin e Kinës.

Xi Jinping-u shprehu shpresën që punonjësit e radios do të vazhdojnë risitë, do të forcojnë më tej aftësinë e komunikimit për jashtë vendit, do të krijojnë një medie të tipit të ri të klasit të parë botëror dhe do të japin kontribut të ri e më të madh për Ëndrrën Kineze dhe për krijimin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit.

Letra e urimit e kryetarit Xi Jinping u lexua në simpozumin e zhvilluar të premten pasdite në Pekin për kremtimin e 80-vjetorit të fillimit të programeve radiofonike të Kinës për botën e jashtme. Në këtë seminar ishte i pranishëm anëtari i Byrosë Politike dhe drejtori i Departamentit të Promovimit të Komitetit Qendror të PKK-së Huang Kunming. Në fjalën e tij në këtë veprimtari Huang ndër të tjera tha: “Duhet të mësojmë seriozisht dhe të zbatojmë udhëzimet dhe konceptet e rëndësishme të kryetarit Xi Jinping, të udhëhiqemi nga Mendimi i Xi Jinping-ut për Socializmin me Karakteristika Kineze në Epokën e Re, të trashëgojmë traditën e mirë, të kryejmë misionin e promovimit ndërkombëtar, të promovojmë gjerësisht rrugën kineze, konceptet kineze e qëndrimet kineze dhe të formojmë një imazh të besueshëm e të respektuar të Kinës, duke treguar historinë e PKK-së dhe të Kinës në epokën e re.”

Më 3 dhjetor 1941, Kina filloi transmetimin e programeve në gjuhën japoneze, çka simbolizon fillimin e transmetimit të programeve radiofonike për jashtë vendit të Kinës. Tani CMG-ja ka shërbime ndërkombëtare në 44 gjuhë të botës.