Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping dhe presidenti i Rusisë Putin dërguan të hënën letra urimi për Forumin e 3-të të Biznesit Energjetik Kinë-Rusi.

Në letrën e vet të urimit, Xi vuri në dukje se që nga fillimi i këtij viti Kina dhe Rusia e kanë shfrytëzuar 20-vjetorin e nënshkrimit të Traktatit të Fqinjësisë së Mirë, Miqësisë dhe Bashkëpunimit Kinë-Rusi, duke nxitur koordinimin e gjithanshëm strategjik dhe bashkëpunimin e gjithanshëm praktik të kenë arritje të frytshme. Bashkëpunimi energjetik është një drejtim i rëndësishëm i bashkëpunimit konkret dypalësh. Të dyja palët i kanë kaluar ndikimet e epidemisë, duke realizuar rritje në tregtinë energjetike. Arritjet e dukshme në bashkëpunimin dypalësh në sektorin e energjetikës kanë treguar potencialin e gjerë të zhvillimit të partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-Rusi në epokën e re. Kina është e gatshme të përpiqet bashkë me Rusinë për një partneritet më të ngushtë energjetik, për të ruajtur bashkërisht sigurinë energjetike dhe për të përballuar sfidat e sjella nga ndryshimet klimatike globale.

Putin u shpreh në letrën e tij të urimit se tani partneriteti i gjithanshëm strategjik Rusi-Kinë ndodhet në nivelin më të lartë në histori. Si një pjesë e rëndësishme në marrëdhëniet mes dy shteteve, bashkëpunimi energjetik po merr zhvillim pozitiv. Gazsjellësit dhe naftësjellësit mes dy vendeve janë në funksionim të qëndrueshëm, tregtia energjetike është në zgjerim, eksplorimi dhe bashkëpunimi lidhur me gazin natyror të lëngët në Arktik dhe ndërtimi i gjeneratorëve të energjisë bërthamore po funksionojnë mbarë. Ai shprehu shpresën që ndërmarrjet dypalëshe të shtojnë lidhjet, të diskutojnë drejtimin e ri të bashkëpunimit dhe të injektojnë energji të re për bashkëpunimin energjetik mes dy vendeve.