Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u takua me zyrtarë të lartë nga disa vende afrikane të dielën përpara Konferencës së 8-të Ministrore të Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë (FOCAC) në kryeqytetin e Senegalit Dakar.

Gjatë konferencës së planifikuar për t’u zhvilluar të hënën dhe të martën, ministrat e jashtëm dhe përfaqësuesit e 54 vendeve anëtare do të formulojnë një përgjigje të përbashkët ndaj COVID-19 dhe do të vendosin kursin për marrëdhëniet Kinë-Afrikë për tre vjetët e ardhshëm dhe më tej.

Përpara konferencës, Wang bëri një vizitë në Senegal, ku takoi presidentin Macky Sall dhe homologen e vet senegaleze Aissata Tall Sall të dielën.

Presidenti e vlerësoi lart ndihmën vetëmohuese të Kinës për Afrikën dhe tha se suksesi i Kinës ofron mësime dhe shpresë për vendet afrikane me përvoja të ngjashme historike.

Rendi i padrejtë ndërkombëtar duhet të ndryshohet dhe fati i Afrikës duhet të jetë në duart e vet afrikanëve, tha presidenti, duke shtuar se Senegali pret që Kina të vazhdojë të luajë një rol udhëheqës në arenën ndërkombëtare dhe të ndihmojë Afrikën të arrijë zhvillimin dhe rigjallërimin.

Wang tha se Kina e sheh Afrikën si një skenë të gjerë për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe jo si një arenë konkurrence midis vendeve të mëdha. Kina do të jetë gjithmonë partnerja më e sinqertë dhe më e besueshme për zhvillimin dhe rigjallërimin e Afrikës, theksoi ai.