Në një konferencë për shtypin të zhvilluar të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze Wang Wenbin u shpreh që Nisma e Zhvillimit Global ndjek parimet e hapjes, tolerancës e transparencës dhe mirëpret të gjithë partnerët të marrin pjesë në të, për të krijuar sinergji për arritjen e Agjendës 2030.

Më 21 shtator, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping paraqiti Nismën e Zhvillimit Global, ku i bëhet thirrje bashkësisë ndërkombëtare të përshpejtojë zbatimin e Agjendës së Zhvillimit të Vazhdueshëm 2030. Kjo ka përpiluar një hartë për zhvillimin ndërkombëtar dhe ka ofruar një drejtim për nxitjen e zhvillimit global.

Wang Wenbin u shpreh që kjo nismë ka treguar gjallëri dhe forcë të madhe tërheqëse, duke u vlerësuar lart nga bashkësia ndërkombëtare. Ai theksoi gjithashtu që zhvillimi është çelësi për të gjitha problemet. Nisma e Zhvillimit Global është fokusuar te zhvillimi global, mbështet konceptet si “zhvillimi është i pari” dhe “populli është në qendër”, ka paraqitur tetë fushat kryesore të bashkëpunimit dhe ka ofruar mbështetje të fuqishme për shpejtimin e arritjes së Agjendës 2030 dhe për ndërtimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta, duke treguar kontributin dhe përgjegjësinë e Kinës për zhvillimin ndërkombëtar.

“Nisma e Zhvillimit Global ndjek parimet e hapjes, tolerancës e transparencës dhe mirëpret pjesëmarrjen e të gjithë partnerëve, me synim që të krijohet sinergji për arritjen e Agjendës 2030. Kina është e gatshme të forcojë koordinimin mes kësaj nisme dhe mekanizmave të bashkëpunimit rajonal dhe nënrajonal, për të nxitur bashkërisht zhvillimin e vazhdueshëm të botës,” tha zëdhënësi i diplomacisë kineze. (Jiang Lei)