Të premten u mbajt në kryeqytetin e Kenias Najrobi Forumi i Bashkëpunimit Mediatik "Partnerët Afrikanë" 2021, i organizuar nga Selia e Grupit Mediatik të Kinës (CMG) në Afrikë. Në forumin me temë "Respekti i ndërsjellë e bashkëpunimi me përfitime reciproke - Mediat kino-afrikane ecin bashkërisht përpara ", gati njëqind të ftuar nga Kina dhe 43 vende afrikane diskutuan mënyrat e bashkëpunimit nëpërmjet videokonferencës.

Zv.ministri i Departamentit Qendror të Promovimit dhe drejtor e kryeredaktor i CMG-së, Shen Haixiong, tha në një fjalim me anë të videos se nga Rruga Detare e Mëndafshit e lashtë te nisma “Një brez, një rrugë” e sotme, Kina dhe Afrika kanë qenë gjithmonë krah për krah njëra-tjetrës dhe kanë ecur në të njëjtin drejtim. CMG-ja raporton për Afrikën nga një perspektivë objektive dhe e balancuar, me ndjenja të vërteta e platforma të larmishme. Ajo ka këmbëngulur gjithmonë të jetë një vëzhguese e zhvillimit të marrëdhënieve mes Kinës e Afrikës, një ndërtuese e bashkëpunimit Kinë-Afrikë dhe një regjistruese e miqësisë Kinë-Afrikë. Në të ardhmen CMG-ja do të vazhdojë të thellojë bashkëpunimin dhe shkëmbimet me mediat afrikane, për të punuar së bashku për të përballuar sfidat dhe për të ndërtuar një bashkësi më të ngushtë me fate të përbashkëta Kinë-Afrikë.

Të ftuarit afrikanë shprehën në fjalimet e tyre gatishmërinë për të bashkëpunuar me median kineze dhe dëshirën për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e shkëmbimeve të teknikës, të përmbajtjes, të trajnimit të personelit etj., për të ndihmuar mediat afrikane të përmirësojnë shërbimet e lajmeve e të informacionit dhe për të sjellë përfitime për popullin afrikan.

Në vitet e fundit CMG-ja dhe media afrikane kanë zgjeruar vazhdimisht fushat dhe përmasat e bashkëpunimit dhe kanë arritur rezultate të frytshme. CMG-ja dhe 36 media kryesore në Afrikë publikuan “Deklaratën e Përbashkët të Forumit të Bashkëpunimit Mediatik ‘Partnerët Afrikanë’ 2021”, ku u bëhet thirrje mediave kineze dhe afrikane që të jenë përhapëse të përgjegjshme të informacionit publik dhe të promovojnë në mënyrë aktive zërin dhe ndikimin e mediave kineze dhe afrikane, duke trajtuar së bashku ndarjen digjitale.

Selia e CMG-së në Afrikë e transmetoi në mënyrë të drejtpërdrejtë forumin në internet, ndërsa mediet e vendeve të ndryshme të Afrikës raportuan për këtë forum.