VCG

VCG

Të premten u mbajt në internet Forumi i Bashkëpunimit Mediatik "Partnerët Afrikanë” për vitin 2021, ku Huang Kunming, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së dhe ministër i Departamentit të Promovimit të Komitetit Qendror të PKK-së, mbajti një videofjalim.

Huang vuri në dukje se Kina dhe Afrika kanë qenë gjithmonë një bashkësi fatesh të përbashkëta dhe gjithmonë e kanë ndihmuar njëra-tjetrën. Miqësia dhe besimi i ndërsjellë janë konsoliduar vazhdimisht dhe vëllazëria është bërë më e fortë me kalimin e kohës. Vitet e fundit, shkëmbimet mediatike Kinë-Afrikë kanë hyrë në rrugën e zhvillimit të shpejtë. Të dyja palët kanë këmbëngulur në të qenit objektive e të drejta dhe në përhapjen e zërit të drejtësisë së bashku, duke këmbëngulur në trajtimin me sinqeritet të njëri-tjetrit, në inovacion dhe në promovimin e përbashkët të lidhjeve njerëzore e të përfitimeve prej digjitalizimit. Nëpërmjet përpjekjeve të medias, janë rrëfyer skena të gjalla dhe histori prekëse të miqësisë kino-afrikane. Populli kinez dhe popujt afrikanë mund të ndajnë më mirë frytet e zhvillimit të informatizimit dhe të shtojnë hovin e zhvillimit me cilësi të lartë të bashkëpunimit kino-afrikan.

Huang theksoi në vijim se ky vit shënon 100-vjetorin e themelimit të Partisë Komuniste të Kinës. Pak kohë më parë u mbajt me sukses plenumi i 6-të i Komitetit Qendror të 19-të të PKK-së, i cili përmblodhi në mënyrë të gjithanshme arritjet kryesore dhe përvojën historike të Partisë gjatë një shekulli. “Ne do t'i përmbahemi rrugës së zhvillimit paqësor, Reformës e Hapjes dhe multilateralizmit, do të forcojmë shkëmbimet dhe bashkëpunimin mes mediave, instituteve të studimit të politikave e institucioneve kulturore dhe do të punojmë së bashku me miqtë afrikanë për të ndërtuar një botë më të mirë,” theksoi ai.

Forumi i Bashkëpunimit Mediatik "Partnerët Afrikanë” u organizua nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG). Në të morën pjesë gjithsej rreth 100 të ftuar, përfaqësues të mediave kryesore dhe njerëz nga fusha të ndryshme të jetës, nga më shumë se 40 vende dhe rajone. (Zhan Dian/Artan)