VCG<br>

VCG

Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij rus Vladimir Putin dërguan letra urimi në ceremoninë e mbylljes së Vitit të Risive Tekniko-Shkencore Kinë-Rusi të premten.

Në mesazhin e tij, kreu i shtetit kinez u shpreh se, kur u hap Viti i Risive Tekniko-Shkencore Kinë-Rusi në gusht 2020, ai dhe presidenti Putin dërguan letra për të shprehur urimet dhe pritshmëritë e tyre të larta.

Për më shumë se një vit, Kina dhe Rusia janë bashkuar, kanë kapërcyer ndikimin negativ të pandemisë së COVID-19 dhe kanë kryer në mënyrë krijuese më shumë se 1 000 veprimtari bashkëpunimi dhe shkëmbimesh në lidhje me risitë tekniko-shkencore, tha Xi.

Ai gjithashtu vuri në dukje se të dy vendet kanë lehtësuar në mënyrë aktive arritjen e bashkëpunimit të frytshëm në fusha të tilla si parandalimi dhe kontrolli i pandemisë, hapësira ajrore dhe aviacioni, energjia bërthamore dhe ekonomia digjitale, ndërsa theksoi çeljen e suksesshme të fondit të risive tekniko-shkencore Kinë-Rusi dhe përparimin e rëndësishëm të bashkëpunimit në projektet kryesore strategjike.

Është vërtetuar se ka një potencial të madh, si dhe një perspektivë të gjerë, për bashkëpunimin Kinë-Rusi në inovacionin shkencor dhe teknologjik, tha ai.

Xi theksoi se Kina dhe Rusia, që janë vendet fqinje më të mëdha të njëra-tjetrës, kanë luajtur së bashku një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në arenën e tanishme politike dhe ekonomike ndërkombëtare.

Presidenti kinez u bëri thirrje të dy palëve që të mbështesin konceptin e miqësisë së qëndrueshme dhe bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella dhe të nxitin bashkëpunimin në fusha të ndryshme në mënyrë praktike.

Ai u kërkoi gjithashtu të dyja vendeve që të promovojnë marrëdhëniet dypalëshe në një nivel më të lartë, cilësi më të lartë dhe standarde më të larta, si dhe t’i japin një shtysë të re krijimit të një lloji të ri marrëdhëniesh ndërkombëtare dhe ndërtimit të një bashkësie me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin.

Në letrën e tij të urimit Vladimir Putin tha se, me përpjekjet e përbashkëta të të dyja palëve, Viti i Risive Tekniko-Shkencore Kinë-Rusi ka qenë i suksesshëm, duke dëshmuar plotësisht rëndësinë e bashkëpunimit shkencor dhe teknologjik dypalësh në kuadrin e partneritetit të bashkërendimit të gjithanshëm strategjik për një epokë të re.