Dy vjet pas pandemisë, jeta ka ndryshuar në mënyrë drastike. Përqindja e vdekjeve nga infeksionet e përgjithshme të COVID-19 ka arritur në 2 për qind. Kompanitë farmaceutike në mbarë botën po studiojnë barnat kundër virusit, disa ndër të cilat kanë bërë përparim të rëndësishëm.
Zhang Yuntao, zv.presidenti dhe kryeshkenëtari i Grupit Bioteknologjik Kombëtar të Kinës, një degë e “Sinopharm”-it, dha një intervistë për CGTN-in lidhur me arritjet më të fundit të tyre mbi barnat e COVID-19.
CGTN: “Sinopharm”-i ka njoftuar se po prodhon dy barna të COVID-19 që mund të ulin ndikimin e virusit. Cilat janë këto dy barna dhe cili është dallimi mes tyre? Sa efektive janë barnat për pacientët me simptoma të lehta, mesatare dhe të rënda?
Zhang: Një është imunoglobulina specifike, që është një antitrup poliklonal. Ai është një antitrup kundër virusit me spektër të gjerë i përgatitur nga plazma e pacientëve të shëruar ose nga një njeri i shëndetshëm i vaksinuar. Ky ilaç është miratuar për prova klinike në Kinë dhe vende të tjera nga Administrata Kombëtare e Ushqimit dhe Barnave e Kinës dhe Ministria e Shëndetësisë dhe e Parandalimit të Sëmundjeve e Emirateve të Bashkuara Arabe. Provat klinike për të do të fillojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe brenda një ose dy ditëve.
Sipas të dhënave eksperimentale që kemi marrë deri tani, ky ilaç do të jetë më efektiv për pacientët me simptoma të lehta dhe mesatare.
Në të njëjtën kohë, kemi zhvilluar antitrupat monoklonalë, të cilët janë prodhuar në një laborator. Edhe ky ilaç po vlerësohet dhe po pret miratimin. Zbuluam se këta antitrupa janë shumë efektivë për trajtimin e virusit “Delta” që po qarkullon në tërë Kinën.
CGTN: Kur parashikohet të dalin në treg dy barnat e COVID-19 nga “Sinopharm”-i?
Zhang: Tani ka më pak raste në Kinë, prandaj po kryejmë një studim klinik të imunoglobulinës specifike të COVID-19 në Emiratet e Bashkuara Arabe. Tani, edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe përqindja e rasteve po ulet, prandaj studimet klinike po përballojnë vështirësi në provimin e efikasitetit të trajtimit specifik. Shpresojmë që të përfundojmë studimin klinik brenda një viti dhe të aplikojmë për miratimin e tij nga autoritetet kineze menjëherë.
CGTN: A mund të na informoni për disa nga llojet kryesore të trajtimit për COVID-19?
Zhang: Në botë ka vetëm disa metoda për trajtimin e COVID-19. Së pari është mjekimi me ilaçe me molekula të mëdha, të cilat përfshijnë imunoglobulinën dhe antitrupat monoklonalë specifikë për koronavirusin e ri të studiuar nga “Sinopharm”-i.
Metodat e tjera përfshijnë ilaçet me molekula të vogla, si pilula antivirale e “Merck”-ut, që është në treg, dhe ilaçi i “Pfizer”-it, që ka deklaruar rezultatet e studimit klinik më të fundit të ilaçit të vet.
Përveç kësaj, edhe barnat tradicionale kineze dhe terapia me qeliza staminale kanë luajtur rol të rëndësishëm në luftën kundër pandemisë.
CGTN: Në të ardhmen, COVID-19 do të trajtohet si i ftohtë i zakonshëm?
Zhang: Në fakt, kontrolli i ardhëm i epidemisë duhet të jetë më gjithëpërfshirës. Por metoda më ekonomike për të na mbrojtur kundër COVID-19 është që të vaksinohemi. Tani, doza përforcuese është miratuar në Kinë dhe vendet e tjera. Disa njerëz janë ende skeptikë për të. Duhet të them se pa dyshim që vaksinat janë metoda më e lirë, më efektive dhe më e sigurt. (Xu Guang)