Foto nga VCG
Kina ka rritur prodhimin e qymyrit që nga tetori për të shtuar furnizimet dhe për të ulur çmimet për sezonin e ngrohjes dimërore, njoftoi organi më i lartë i planifikimit ekonomik të vendit, njofton “ATSH”.
Prodhimi mesatar ditor i qymyrit i Kinës arriti në 11.66 milionë tonë nga 1 deri më 5 nëntor, duke u rritur me më shumë se 1.2 milionë tonë nga fundi i shtatorit. Prodhimi maksimal ditor arriti në 11.93 milionë tonë, një rekord i lartë në vitet e fundit, njoftoi përmes një deklarate Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës (NDRC).
Ky komision u ka kërkuar kompanive të qymyrit në mbarë vendin që të nënshkruajnë kontrata afatmesme dhe afatgjata për energjinë dhe qymyrin për të stabilizuar tregun. Që nga e shtuna, të gjitha kompanitë e qymyrit në 24 rajone të nivelit provincial nënshkruan kontrata afatmesme dhe afatgjata.
Ndërsa furnizimi i qymyrit lehtësohet, rezervat e karburantit të termocentraleve po përshpejtojnë rritjen. Që nga nëntori, furnizimi ditor i qymyrit për termocentralet ka qenë mesatarisht 7.74 milionë tonë. Termocentralet depozituan mbi 117 milionë tonë qymyr të shtunën, rreth 40 milionë tonë më shumë nga fundi i shtatorit. (Fatosi)