E ashtuquajtura "teori e daljes nga laboratori" të virusit, e fabrikuar kohët e fundit nga ShBA-ja, është e çalë. Ajo ndoqi të njëjtën dredhi të vjetër, që një pjesë mediash botojnë raporte të njëanshme dhe pastaj disa politikanë bëjnë zhurmë për to.

Megjithatë, një "komedi dyshe" e tillë, që shfaqet shpeshherë, demaskon më tej qëllimin e keq të Shtëpisë së Bardhë për politizimin e pandemisë dhe stigmatizimin e vendeve të tjera.

Një raport i gazetës "Wall Street Journal", i botuar më 23 maj, është shkaktar i ringjalljes së "teorisë së daljes nga laboratori". Në këtë raport përdoret "një raport agjenturor i papublikuar më parë" si i vetmi burim, dhe i tërë raporti ka të bëjë vetëm me "informacionin e fshehtë", duke e orientuar lexuesin ta fajësojë Kinën për "daljen nga laboratori". Megjithatë, raporti nuk paraqit asnjë fakt dhe është i mbushur me shprehje të paqarta, gjë që demaskon mungesën e besimit në argumentet e tij.

"The Wall Street Journal" thotë se ofron fakte, të dhëna dhe informacion, jo pohime apo opinione. Por raporti i sipërpërmendur nuk është as objektiv, as i paanshëm, dhe dëmton vetëm besueshmërinë e ShBA-së.

E ashtuquajtura "teori e daljes nga laboratori" u mohua nga kërkimet shkencore. Mos vallë "The Wall Street Journal" beson me të vërtetë që një raport agjenturor me origjinë të panjohur mund të përmbysë studimet shkencore? Nga e mori ajo këtë "raport agjenturor të papublikuar më parë"? A është "ekskluziv" apo "i qepur" raporti? A e verifikoi "The Wall Street Journal" atë?

Një nga autorët e këtij raporti, Michael Gordon, është i njohur në median amerikane për fabrikimin e historive. Ishte Gordon-i që bëri për zhurmë se Iraku po përpiqej të zotëronte armë bërthamore në shtator 2002, kur ai punonte për gazetën "The New York Times" dhe raportimi i tij u bë më vonë një arsye për Shtëpinë e Bardhë për shpërthimin e luftës kundër Irakut, megjithëse kjo arsye doli në fund se ishte një gënjeshtër e madhe.

Qysh nga shpërthimi i epidemisë së COVID-19, disa politikanë amerikanë e kanë politizuar qëllimisht virusin, ndërsa disa media amerikane janë bërë ndihmës të tyre.

Në prillin e vjetshëm, "The Washington Post" fabrikoi një histori që koronavirusi i ri vjen nga një laboratori kinez, dhe ajo u pasua nga një raport në shkurt të këtij viti nga "The New York Times", ku thuhet se shkencëtarët kinezë nuk pranuan të ndanin të dhënat origjinale, që ndoshta mund ta bënin botën t'i afrohej njohjes së origjinës së pandemisë së koronavirusit.

Këto organizata mediatike amerikane e bëjnë një sy të verbër ndaj shkencës e fakteve dhe përsërisin gënjeshtrat e tyre herë pas here, të cilat jo vetëm shkelin etikën profesionale, por prishin edhe atmosferën për bashkëpunimin ndërkombëtar antipandemik, për të cilin ka shumë nevojë bota e tanishme.

Politikanët dhe organizatat mediatike amerikane punojnë bashkërisht për përhapjen e gënjeshtrave dhe për stigmatizimin e Kinës, sepse ata nuk mund ta pranojnë një Kinë në rritje. Politikanët amerikanë, që shpenzojnë shuma të mëdha për "kundërshtimin e ndikimit të rrezikshëm të Kinës", dëshirojnë vetëm ta përbaltin Kinën me thashetheme dhe gënjeshtra. Veprime të tilla të paturpshme tregojnë edhe një herë hegjemoninë e ShBA-së ndaj botës.

Respektimi i etikës profesionale është një kërkesë bazë për punën e gazetarisë. Vetëm lajmet e vërteta, objektive dhe të paanshme e kalojnë provën e historisë. Raportet e disa mediave amerikane lidhur me gjurmimin e origjinës së COVID-19, që kanë shumë gabime, kanë shkelur seriozisht moralin profesional dhe do të mbetin njolla të pashlyeshme në histori. (Wang Lei/ Artan)