Anija kozmike kineze e mallrave “Tianzhou-2” u bashkua me “Tianhe”, moduli kryesor i stacionit hapësinor të Kinës, të dielën në 5:01 të mëngjesit (sipas orës së Pekinit), duke sjellë furnizime, pajisje dhe lëndë djegëse, njoftoi Agjencia e Fluturimeve Hapësinore me Astronautë e Kinës (CMSA).

Procesi i takimit dhe lidhjes “i orkestruar” nga kompjuteri, zgjati përafërsisht tetë orë.

“Tianzhou-2” u nis me një raketë “Marshimi i Madh-7 Y3” të shtunën në 8:55 pasdite (ora e Pekinit) nga baza e lëshimit “Wenchang” në provincën Hainan të Kinës Jugore.

Pas 604 sekondash, “Tianzhou-2” u nda nga raketa dhe hyri në orbitën e vet të përcaktuar. Në orën 21:17 panelet diellore të “Tianzhou-2” u shpalosën dhe filluan të punonin.

"Nisja arriti sukses të plotë," shpalli CMSA-ja.

Lëshimi i anijes kozmike të mallrave “Tianzhou-2” është një nga 11 misionet e planifikuara nga Kina për të përfunduar ndërtimin e stacionit të saj hapësinor deri në fund të vitit 2022.

Kina dërgoi modulin kryesor “Tianhe” në orbitën e planifikuar më 29 prill, duke filluar një varg misionesh nisjeje për dy vjetët e ardhshëm.

Më shumë se 160 pako të mëdha dhe të vogla, duke përfshirë furnizime për astronautët dhe pajisje të shkencës hapësinore, dhe dy tonë lëndë djegëse, janë ngarkuar në “Tianzhou-2”, sipas Akademisë Kineze të Teknologjisë Hapësinore.

Lei Jianyu, një projektues i “Tianzhou-2” nga Akademia Kineze e Teknologjisë Hapësinore, tha se tani vetëm dy lloje anijesh kozmike mallrash kanë kapacitet maksimal mbajtës më shumë se 5 tonë. "Tianzhou” i Kinës është një prej tyre e është në nivel udhëheqës botëror.

Yang Hong, kryeprojektues i stacionit hapësinor nga Akademia Kineze e Teknologjisë Hapësinore, theksoi se misionet e nisjes lidhur me stacionin hapësinor të Kinës janë të lidhura ngushtë. Brenda 48 orësh pasi “Tianhe” hyri në orbitë, moduli kryesor iu nënshtrua një vlerësimi të gjendjes dhe “Tianzhou-2” filloi të përgatitet për lëshim.

Anija kozmike kineze e mallrave “Tianzhou-2” u bashkua me “Tianhe”, moduli kryesor i stacionit hapësinor të Kinës

Anija kozmike kineze e mallrave “Tianzhou-2” u bashkua me “Tianhe”, moduli kryesor i stacionit hapësinor të Kinës

Pas lidhjes së “Tianzhou-2” me “Tianhe”, anija kozmike me ekuipazh “Shenzhou-12” do të hyjë në fazën përgatitore për nisjen.

Tre astronautët në “Shenzhou-12”, të cilët do të qëndrojnë në orbitë për tre muaj, do të hapin pakot brenda “Tianzhou-2” për të marrë materialet e tyre të jetesës dhe të punës.

"Kina planifikon ta bëjë stacionin hapësinor një laborator hapësinor të nivelit shtetëror që mundëson qëndrimin e gjatë të astronautëve dhe kryerjen e eksperimenteve shkencore, teknologjike dhe të zbatimit në shkallë të gjerë", tha Zhou Jianping, kryeprojektues i programit hapësinor të Kinës. (Çang Çuo)