Më 26 maj, gazeta "The Wall Street Journal" publikoi një artikull, ku thuhet se në botën e sotme, qendrat tregtare po përballen me prirjen e rënies, por kjo gjë nuk ndodh në Kinë. Sipas gazetës, konsumatorët kinezë pëlqejnë blerjen e mallrave në internet, por pas përvojës së mbylljes gjatë epidemisë së COVID-19, shumë prej tyre rizbuluan gëzimin e blerjes në dyqanet reale.

Kina e kontrolloi shumë herët përhapjen e epidemisë brenda vendit, duke u bërë ekonomia e vetme kryesore me rritje në vitin 2020. Por kufizimi i lëvizjes ndaloi turizmin e jashtëm për shumicën e kinezëve, dhe kjo bëri që ata të shpenzojnë më shumë në konsumin e brendshëm.

Sipas një sondazhi, në vitin 2019, konsumatorët e pjesës kontinentale kineze shpenzuan afro 64 miliardë euro në blerjen e mallrave luksoze gjatë turizmit jashtë vendit, dy herë më shumë se konsumi i mallrave luksoze brenda pjesës kontinentale. Vitin e kaluar, ky model konsumi ndryshoi plotësisht: kinezë shpenzuan 47 miliardë euro në konsumin e mallrave luksoze në Kinë, afro tre herë më shumë se konsumi i mallrave luksoze jashtë vendit.

Në artikull thuhet se disa qendra tregtare kineze e ndaluan biznesin e tyre qysh nga janari i vitit 2020, por shumë prej tyre u rihapën brenda dy muajve. Pronarët e qendrave tregtare dhe qiramarrësit e dyqaneve në këto qendra u shprehën se shitja e mallrave dhe numri i konsumatorëve ka pasur një rikthim "në formë V-je". Besimi i konsumatorëve nuk është dobësuar qysh nga kjo kohë. Sipas të dhënave statistikore, vëllimi i shitjes me pakicë në tremujorin e parë të këtij viti brenda Kinës u shtua me 34 %, ndërsa qiratë e dyqaneve në qendrat tregtare u rritën 0.2 % në krahasim me vjet.(Xu Guang)