Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Kinës dënoi të enjten shitjet e para të planifikuara të armëve Tajvanit nga administrata e Biden-it dhe i kërkoi ShBA-së të ndalojë çdo formë të shkëmbimeve zyrtare ose ushtarake me ishullin.

Duke folur në një konferencë të rregullt për shtyp, zëdhënësi i Ministrisë Tan Kefei përsëriti se çështjet e lidhura me Tajvanin janë punë të brendshme të Kinës dhe Kina refuzon shitjen e armëve ose çdo formë të kontaktit ushtarak me Tajvanin nga çdo vend.

Tan dënoi gjithashtu përpjekjet e Partisë Demokratike Progresive (PDP) për të kërkuar pavarësinë. Ai tha se "iluzioni" i autoriteteve të PDP-së "për të kërkuar pavarësi me forcë" vetëm sa do t'i shtyjë bashkatdhetarët në Tajvan në humnerën e katastrofës.

Ai e paralajmëroi PDP-në se çdo përpjekje për të përçarë Kinën do të dështojë dhe Ushtria Çlirimtare Popullore do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës. (Albana)