Në videofjalimin e mbajtur të premten në Samitin Global të Shëndetësisë, presidenti i Kinës Xi Jinping u bëri thirrje vendeve anëtare të G20-s të mbajnë përgjegjësinë e tyre në bashkëpunimin global kundër COVID-19, duke paraqitur njëkohësisht pesë propozime e duke shpallur pesë masa të reja.

Duke përgjithësuar përvojat e Kinës dhe mësimet e vendeve të tjera në përballimin e pandemisë, Xi bëri pesë propozime, që përfshijnë këmbënguljen në vënien e popullit dhe jetës në plan të parë, këmbënguljen në zbatimin shkencor të politikave dhe në përballimin e bashkërenduar dhe sistematik, këmbënguljen në përpjekjet e përbashkëta dhe bashkëpunimin e solidaritetin, këmbënguljen në drejtësinë e arsyeshmërinë për ngushtimin e “hendekut të vaksinave” dhe këmbënguljen në përsosjen e sistemit të qeverisjes, duke trajtuar si simptomat, ashtu edhe shkaqet rrënjësore.
Praktika e Kinës ka treguar se këto propozime janë të efektshme. Në deklaratën e këtij samiti përfshihen shumë propozime të palës kineze dhe kjo pasqyron njohjen e pranimin gjerësisht prej bashkësisë ndërkombëtare të përvojës dhe mençurisë kineze.
Krahas propozimeve, Kina ka vepruar edhe me veprime konkrete në përkrahjen e përballimit global të epidemisë së COVID-19. Të marrim për shembull vaksinat. Deri tani Kina u ka dhënë falas vaksina për nevoja urgjente mbi 80 vendeve në zhvillim dhe ka eksportuar vaksina në 43 vende. Gjithsej 300 milionë doza vaksinash kineze i janë ofruar botës. Këto vaksina janë përdorur kryesisht për përkrahjen e vendeve në zhvillim në luftën kundër pandemisë dhe kanë nxitur fuqimisht zotërueshmërinë dhe përballueshmërinë e vaksinave nga këto vende. Në një artikull të saj, agjencia e lajmeve “Bloomberg” komentoi se kontributi i Kinës ka rëndësi shumë të madhe.

Xi premtoi të premten se Kina do të shtojë me tre miliardë dollarë amerikanë ndihmën ndërkombëtare në tre vjetët e ardhshëm, në përkrahje të veprimeve kundër COVID-19 dhe të rimëkëmbjes ekonomike e shoqërore në vendet e tjera në zhvillim, do t’i ofrojë botës më shumë vaksina, si edhe do të përkrahë prodhuesit e saj të vaksinave në transferimin e teknologjive në vendet e tjera në zhvillim dhe në prodhimin e përbashkët të vaksinave me këto vende. Kina propozoi edhe krijimin e një forumi ndërkombëtar mbi bashkëpunimin në fushën e vaksinave, për të kërkuar rrugët për nxitjen e shpërndarjes së drejtë dhe të barabartë të vaksinave në mbarë botën.
Për komunitetin ndërkombëtar, detyra më urgjente është mposhtja e pandemisë dhe rimëkëmbja ekonomike. Për realizimin e këtij objektivi, vetëm përpjekjet e Kinës nuk janë të mjaftueshme. Botës së sotme i nevojitet më shumë se kurdoherë bashkëpunimi e solidariteti dhe ky mesazh është theksuar herë pas here nga pala kineze. (Wang Lei/ Artan)