Vaksina me një dozë kundër COVID-19 e kompanisë kineze "CanSino" do të shtojë ofertën e vaksinave në Kinë dhe do të ndihmojë në përshpejtimin e objektivit të vendit për vaksinimin e 80 për qind të popullsisë së saj para fundit të vitit.

Vaksina, e miratuar nga Administrata Kombëtare e Produkteve Mjekësore e Kinës në shkurt të këtij viti, u zhvillua nga një ekip kërkimor i Akademisë së Shkencave Ushtarake dhe "CanSino Biologics ", një kompani biofarmaceutike kineze e teknologjisë së lartë.

Shangai tashmë ka filluar ta përdorë këtë vaksinë me një dozë të vetme që prej 13 majit.

Prodhuesit kinezë të vaksinave të COVID-19 "Sinovac", "Sinopharm" dhe "CanSino" kanë paraqitur aplikime për t'u bashkuar me COVAX, një iniciativë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) për të siguruar që çdo vend të ketë qasje të barabartë në vaksinat. OBSh-ja njoftoi miratimin e vaksinës "Sinopharm" për Listën e Përdorimit Emergjent në 8 maj, duke e bërë atë vaksinën e gjashtë që ka marrë vlerësimin e OBSh-së për sigurinë, efikasitetin dhe cilësinë.

Kompania kineze "CanSino" ka propozuar furnizimin e "dhjetëra miliona doza" të vaksinës së saj për COVAX-in. Oferta për COVAX-in është çmimi më i ulët që "CanSino" përdor në tregje. Çmimi për vendet e pasura është rreth tre herë më i lartë.

Deri tani, jashtë Kinës, vaksina e "CanSino" është aprovuar në Pakistan, Hungari dhe Meksikë. Bazuar në rezultatet e provave klinike dhe rezultateve të përdorimit emergjente dhe pas përdorimit të përgjithshëm, të gjitha vaksinat që kanë marrë miratim të kushtëzuar të tregut kanë treguar një nivel të mirë sigurie. Të dhënat vërtetojnë se koha e mbrojtjes së vaksinës "Cansino" mund të arrijë të paktën 6 muaj. Më parë, vëzhgimet mbi qëndrueshmërinë e vaksinës së ebolës duke përdorur të njëjtën teknologji treguan se ajo ende ka mbrojtje të mjaftueshme pas dy vitesh nga përdorimi.(Zhan Dian/Artan)