Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij rus Vladimir Putin vlerësuan të mërkurën bashkëpunimin në sektorin e energjisë bërthamore midis dy vendeve, gjatë pjesëmarrjes nëpërmjet lidhjes me video në ceremoninë e fillimit të një projekti të energjisë bërthamore në bashkëpunim dypalësh.

Ceremonia u zhvillua për të shënuar ditën e parë të ndërtimit të njësive energjetike nr.7 e nr. 8 të Centralit Bërthamor "Tianwan" dhe të njësive nr. 3 e nr. 4 të Centralit Bërthamor "Xudapu".

Në fjalimin e tij, Xi Jinping-u theksoi se Kina i kushton vëmendje të madhe bashkëpunimit energjetik me Rusinë, si një fushë e bashkëpunimit tradicional midis dy vendeve. Kreu i shtetit kinez përshëndeti fillimin e ndërtimit të dy centraleve bërthamore dhe vuri në dukje se këto dy projekte energjetike kanë dhënë një shembull për bashkëpunimin dypalësh në sektorët e tjerë.

Presidenti Xi vuri në dukje po ashtu se bashkëpunimi kino-rus në fushën e energjisë bërthamore ka rëndësi të madhe për zhvillimin në një nivel të lartë të marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe të partneritetit të gjithanshëm strategjik midis dy vendeve në epokën e re, duke bërë thirrje që të dy palët të ruajnë prirjen e mirë të bashkëpunimit dhe të zhvillojnë bashkëpunim më efektiv në fusha të tjera.

Foto nga VCG

Xi shprehu gjithashtu shpresën e tij në tre drejtime lidhur me këto projekte. Së pari, ai theksoi rëndësinë e sigurisë gjatë ndërtimit dhe u kërkoi punëtorëve ta vënë sigurinë në plan të parë, për të krijuar një shembull për bashkëpunimin bërthamor global. Së dyti, risia duhet të jetë forca lëvizëse në një bashkëpunim të tillë, u shpreh Xi, duke bërë thirrje të forcohet integrimi teknologjik në bashkëpunimin e energjisë bërthamore. Së treti, të dy palët duhet të vazhdojnë koordinimin strategjik për të nxitur së bashku zhvillimin e qeverisjes së energjisë ndërkombëtare.

Në praninë e Xi Jinping-ut dhe të Vladimir Putinit, Kina dhe Rusia nënshkruan në qershor të vitit 2018 një sërë marrëveshjesh strategjike të energjisë bërthamore për të ndërtuar së bashku katër njësi të energjisë bërthamore. Ky është bashkëpunimi dypalësh me përmasat më të mëdha deri tani në këtë fushë, me një vlerë të përgjithshme të kontratave që i kalon 20 miliardë juanët (rreth 3 miliardë dollarë).

Të katër këto njësi do të përdorin reaktorët "VVER-1200" të brezit të tretë të zhvilluar nga Rusia. Siç bëhet e ditur nga Kompania Shtetërore e Energjisë Bërthamore "Rosatom" e Rusisë, në krahasim me reaktorin "VVER-1000", "VVER-1200" ka epërsi në shumë drejtime.

Pas përurimit, katër njësitë do të pakësojnë në mënyrë efektive lëshimin e dioksidit të karbonit. (Fani/Artan)