Të premten e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) miratoi për përdorim urgjent vaksinën kineze të prodhuar nga Sinopharm. Kjo është vaksina e 6-të që merr miratimin e OBSh-së për sigurinë, efikasitetin dhe cilësinë.
Ky miratim pasqyron njohjen e bashkësisë ndërkombëtare për studimin, zhvillimin, prodhimin dhe sigurinë e vaksinës Sinopharm në përputhje me standardet ndërkombëtare. Pas marrjes së dritës jeshile nga OBSh-ja, këto vaksina do të kontribuojnë më shumë për luftën globale kundër pandemisë pasi ato do të hyjnë në sistemin botëror të prokurimit dhe furnizimit.
Deri tani, Kina ka ofruar vaksina kundër COVID-19 për mbi 100 organizata ndërkombëtare dhe vende të ndryshme si Pakistani, Azerbajxhani, Filipinet, Maqedonia e Veriut, Hungaria etj.
Të enjten, ministri i Shëndetësisë i Azerbajxhanit, Teymur Musayev, e vlerësoi lart vaksinën kineze CoronaVac të prodhuar nga Sinovac Biotech si "plotësisht të sigurt." Ai tha se 1.6 milion banorë në vendin e tij janë vaksinuar me dozën e parë me vaksinë kineze dhe 600 mijë banorë kanë marrë tashmë edhe dozën e dytë.
Si vendi i parë i BE-së që përdori vaksinën Sinopharm, Hungaria, ka arritur në nivelin më të lartë të vaksinimit në BE. Hungaria deklaroi më 29 prill se ka marrë mbi 2 milionë doza nga 5 milionë dozat e kontraktuara me Kinën.
Në të njëjtën kohë, disa udhëheqës të botës u vaksinuan javën e kaluar me vaksinën kineze, si presidenti i Republikës Dominikane Luis Abinader, presidenti filipinas Rodrigo Duterte dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev.
"Ndihem mirë dhe kam pritur për këtë injektim të vaksinës për një kohë të gjatë," tha më 3 maj Duterte, 76 vjeç, para vaksinimit me vaksinën e Sinopharm, duke i inkurajuar banorët e vendit të tij që të vaksinohen.
Edhe Zaev bëri një vlerësim pozitiv pasi u vaksinua, duke thënë se "ndihem mirë, dhe do të vazhdoj agjendën e punës sime të përditshme." Ai gjithashtu inkurajoi të gjithë qytetarët që të regjistrohen për këtë vaksinim, duke thënë se këto vaksina janë të sigurta, të kontrolluara dhe të testuara.
Përveç kësaj, prodhuesit e vaksinës kineze po bashkëpunojnë me më shumë vende. Gjiganti farmaceutik kinez Sinopharm do të prodhojë së bashku vaksinën e COVID-19 me kompanitë argjentinase, njoftoi më 3 maj ambasada kineze në Argjentinë. Ambasadori kinez në Argjentinë Zou Xiaoli tha se dy palët po diskutojnë për anët teknike të prodhimit të vaksinave dhe do të fillojnë procesin sa më shpejt.
Kontigjenti i parë i vaksinave kineze kundër COVID-19 CanSino që qeveria pakistaneze bleu në sasi të madhe mbërriti të enjten e kaluar në Pakistan. Një nga autoritetet e larta shëndetësore të vendit, Faisal Sultan, tha më 3 maj se do të nisë prodhimi lokal me dozën e vetme të vaksinës së COVID-19 CanSino për të nxitur procesin e vaksinimit.
Kina është zotuar se do të ofrojë 10 milionë doza vaksinash kundër COVID-19 ndaj nismës botërore të shpërndarjes së vaksinave, e njohur si COVAX.
(Xu Guang/Albana)