Pekini ka shpallur planin e vaksinimit masiv kundër COVID-19 për publikun e gjerë. Banorët në moshën 18-59 vjeçe mund të regjistrohen për vaksinim.
Të dielën paradite, brenda dy orëve, punonjësit mjekësorë në një pikë të përkohshme vaksinimi në Pekin mbaruan injeksionet e para të vaksinës së COVID-19 për 1600 banorë.
"Ne krijuam zona të ndryshme të pritjes, të kontrollit shëndetësor, të regjistrimit, të injektimit dhe të vrojtimit. Në zonën e pritjes ka 180 ndenjëse në mjedis të brendshëm, sepse jashtë është ftohtë," tha Zhang Shuanglin, një punonjës lagjeje në pikën e vaksinimit.
Rreth 60 punonjës mjekësorë nga Spitali i Riaftësimit i Pekinit janë dërguar në pikën e përkohshme.
"Mjekët dhe infermieret tona filluan punën në orën 7 e 30 të mëngjesit. Kemi mjekë veteranë që punojnë në zonën e kontrollit shëndetësor, sepse kjo ka rëndësi për ne për të njohur gjendjen e shëndetit të banorëve para injektimit," tha Qiao Manhua, një punonjëse mjekësore në pikën e vaksinimit.
Banorët mund të regjistrohen nëpërmjet skanimit të kodit të reagimit të shpjejtë të dhënë nga lagjet e tyre, pastaj punonjësit e lagjeve rregullojnë punët lidhur me injektimin.
Ky raund vaksinimi në Pekin do të zgjasë për disa muaj, me qëllim që kushdo që dëshiron të vaksinohet, të ketë mundësinë ta bëjë këtë.
Kina ka filluar vitin e kaluar vaksinimin e grupeve me rrezik të lartë infektimi, duke përfshirë punonjësit mjekësorë, drejtuesit e taksive, punonjësit e zinxhirit frigoriferik etj. Deri tani janë bërë mbi 30 milionë doza në mbarë vendin.
Qeveria kineze ka premtuar t'i ofrojë vaksinat e COVID-19 falas dhe është shprehur se rimbursimi i tyre nuk do të ndikojë në trajtimin e përditshëm mjekësor të banorëve. (Fani/Artan)