Wuhan-i i Kinës Qendrore ka qenë qyteti më i goditur kinez nga COVID-19. Një vit më pas, në këtë qytet gjendja është ndryshe.

Infermierja 25-vjeçare Jia Na ka punuar në spitalin "Renmin" pranë Universitetit të Wuhan-it për një vit e gjysmë dhe ajo njihet shumë mirë nga pacientët.

“Jia Na është personi i parë që njohëm këtu. Motra ime nuk u ndje mirë dhe erdhëm në spital në mesnatë,” thotë familjari i një pacienteje. “Ajo jo vetëm e ndihmoi motrën time, por më gjeti edhe mua një vend për të fjetur. Ajo është shumë e mirë.”

Jia vetë dikur ishte në gjendje të dëshpëruar. Në fillim të shpërthimit të epidemisë, ajo u sëmur nga COVID-19, pasi kishte marrë pjesë në frontin e parë të luftës kundër virusit.

“U përpoqa shumë të mësoja si isha infektuar, por nuk gjeta përgjigje,” thotë Jia. “E mora rezultatin pozitiv në mesnatë. U frikësova shumë dhe për pak e lëshova veten. Nuk e dija sa gjatë mund të jetoja.”

Për fat të mirë, një ditë më pas, Jia u diagnostikua me simptoma të lehta. Meqë spitali ishte mbushur me pacientë, ajo u kthye në shtëpi për vetizolim.

Jia ishte e dëshpëruar për disa kohë, por më pas ajo mori vendim ta përballonte këtë gjendje me guxim. Në shtëpi, ajo ishte vetëm, po jo e vetme. Ajo i rrëfeu ndjenjat e saj dhe gjendjen fizike në median sociale. Tani ajo ka një milionë ndjekës, të cilët i kanë dhënë shumë mbështetje.

“Një mik në internet tha që ata dëshirojnë të këmbejnë me një vit fati të mirë për shërimin tim. Ishte shumë prekës,” kujton Jia.

Ajo u tregonte ndjekësve çfarë bënte çdo ditë, si dezinfektimi dhe ventilimi, dhe shumë miq në internet bënin të njëjtën gjë, duke kuptuar që këto janë masa efektive. Jia donte që ata ta shihnin se ajo po shërohej dhe kjo sëmundje nuk ishte aq e tmerrshme.

Jia u shërua pas afro dy javësh. Shumë shpejt, ajo rimori pjesë në luftën antiepidemike në Wuhan.(Jiang Lei)