Kompania farmaceutike kineze “Sinovac Biotech Ltd.” po rrit prodhimin e “CoronaVac”, një vaksinë e inaktivizuar për Covid-19, për të siguruar furnizimin e saj globalisht.

Presidenti i kompanisë kineze, Yin Weidong, deklaroi në një intervistë për “Xinhua” se "Sinovac” ka marrë disa porosi për vaksinën nga Brazili, Indonezia, Turqia, Kili dhe vende të tjera të botës. Sipas tij, kompania po bën çdo përpjekje për të zgjeruar kapacitetin e prodhimit.

“Shpresojmë që vaksina të mbrojë gjithnjë e më shumë njerëz në të gjithë botën. Ajo është autorizuar për administrim emergjent në disa vende, duke përfshirë Kinën, Indonezinë, Brazilin dhe Kilin”, tha Yin, duke shtuar se kompania kineze ka ndërtuar një linjë të dytë prodhimi, e cila do të hyjë në veprim në shkurt, duke rritur kapacitetin e saj vjetor të prodhimit në 1 miliard doza. (Irma)