Presidenti kinez Xi Jinping shkoi të martën në Zhangjiakou për të inspektuar përgatitjet për Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Dimërore të Pekinit 2022, duke e vënë theksin te rëndësia e inovacionit teknologjik.
Në Qendrën Kombëtare të Kërcimit me Ski, Xi Jinping-u shprehu pohimin e tij për përdorimin nga sportistët të sistemeve të ndihmës së inteligjencës artificiale për të përmirësuar nivelin e tyre të stërvitjes. Ai tha se, ashtu si rruga që duhet ndjekur për t'u bërë një vend i fuqishëm, edhe sportet dimërore të Kinës duhet të ndjekin rrugën e inovacionit teknologjik. Nga njëra anë, duhet ngulur këmbë te krijimi i pavarur i risive dhe, nga ana tjetër, duhet të tërhiqet më mirë teknologjia dhe metodat e përparuara ndërkombëtare të stërvitjes.
Në Qendrën Kombëtare të Biatlonit, Xi Jinping-u theksoi se mbetet më shumë se një vit nga Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit dhe të gjitha objektet e konkurrimit kanë përfunduar. Hekurudha me shpejtësi të lartë Pekin-Zhangjiakou dhe autostrada Jingli janë hapur për trafik. Shumë projekte të sporteve dimërore janë krejtësisht të reja dhe disa kanë arritur nivelin e përparuar botëror. Të gjitha këto pasqyrojnë plotësisht përparësitë e sistemit të Kinës.
Në të njëjtën ditë, Xi Jinping-u udhëtoi nëpërmjet hekurudhës me shpejtësi të lartë Pekin-Zhangjiakou për në Zhangjiakou për një inspektim. Ai vuri në dukje se hekurudha me shpejtësi të lartë është një shembull i suksesshëm i inovacionit të pavarur të Kinës, duke shtuar se është e nevojshme të përmblidhet përvoja dhe të vazhdohet puna për të arritur një zhvillim më të madh.(Vera)