Qyteti i Wuhan në Kinën qendrore njoftoi se tre kampione të marra nga paketimet e disa ushqimeve të ngrira kanë rezultuar pozivitivë për koronavirusin.
Lajmi është dhënë nga Komisioni Shëndetësor lokal, sipas të cilit dy prej kampionëve janë gjetur në një magazinë frigorifer për mishin e grirë të viçit të ardhur nga Brazili dhe një tjetër në një magazinë për produkte të ngrira peshku, me prejardhje nga Vietnami, citon “Xinhua”.
Autoritetet lokale kanë bllokuar prodhimet dhe kanë bërë testime me tamponë te personeli që ka pasur kontakt direkt me ushqimet, duke i vendosur në karantinë. Të gjithë rezultuan negativë.
Dërgesat e ushqimeve të ngrira ku u morën kampionët e infektuar nuk ishin hedhur në treg.
Kina ka intensifikuar kontrollet për të bllokuar përhapjen e Covid-19 përmes produketeve të rëndësishme ushqimore. Në mës të nëntorit, Ministria e Transportit publikoi një sërë masash për të parandaluar transmetimin e Covid-19 nëpërmjet ushqimeve të ngrira.