Kina ka përforcuar masat për të kontrolluar rastet e mundshme COVID-19 nga logjistika e zinxhir të ftohtë gjatë muajve të dimrit, pasi ka patur disa raportime në vend për gjurmë virusi në sipërfaqen e ushqimeve të ngrira të importuara dhe madje edhe në kontejnerë.
Në një konferencë për shtyp të së premten, zëdhënësi i Ministrisë kineze të Transportit, Sun Wenjian, tha se ministria lëshoi një udhëzim gjithëpërfshirës për të ulur rrezikun e transmetimit të virusit përmes logjistikës së zinxhirit të ftohtë, që thekson përpjekjet në katër fusha kryesore.
E para është forcimi i mbrojtjes së të gjithë personelit që punon në transportin e “zinxhirit të ftohtë”. Masat specifike përfshijnë mbikëqyrjen dhe raportimin e rregullt të kushteve të tyre shëndetësore, furnizimin e tyre me pajisje mbrojtëse personale, trajnim të synuar të sigurisë për ta, dhe teste të rregullta të acidit nukleik.
E dyta është kryerja e dezinfektimit të rregullt dhe të plotë i mjedisit të produkteve të ftohta, duke përfshirë automjetet e transportit, kontejnerët dhe hapësirën e ftohjes, sidomos dorezat e dyerve dhe timonat që preken më shpesh nga njerëzit.
E treta është zbatimi i një sistemi të rreptë dhe të gjurmueshëm të regjistrimit të informacionit, i cili mund të mbajë një regjistër të informacionit thelbësor siç është origjina e ngarkesës, automjeti i saj i transportit dhe i gjithë stafi që e ka trajtuar ngarkesën.
E katërta është një plan i plotë i përgjigjes ndaj emergjencave kur zbulohet koronavirusi. Plani duhet të sigurojë që sapo të zbulohet koronavirusi, kompanitë dhe personeli i përfshirë duhet të reagojnë menjëherë për të izoluar rastet e konfirmuara ose të dyshuara dhe kontaktet e tyre të ngushta, të dezinfektojnë mjedisin përkatës dhe të ndërpresin transmetimin e mundshëm sa më shpejt të jetë e mundur. (Albana)