Kina ka regjistruar incidente në rritje të ushqimit të zinxhirit të ftohtë të importuar dhe paketave që rezultojnë pozitive për koronavirusin e ri me më shumë rajone provinciale që raportojnë incidente të tilla, bëri të ditur Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë. Mi Feng, zëdhënësi i komisionit, tha se përveç produkteve të importuara nga deti, produktet e mishit gjithashtu kanë rezultuar pozitive për virusin dhe ka pasur gjithashtu incidente të rezultateve pozitive të provave nga kontejnerët, bën të ditur “China Daily”. Sipas tij, ka pasur raste të transmetimit të mallrave te njerëzit dhe transmetimit nga njeriu te njeriu.
Koronavirusi i ri mund të mbijetojë për një kohë të gjatë në temperatura të ulëta, dhe ndërsa pandemia është ende e rëndë në shumë vende, ushqimi i ngrirë dhe paketimi i tij mund të jenë përgjegjës për transmetimin ndërkufitar të virusit, -tha Li Ning, zëvendësdrejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Kinës për Vlerësimin e Rrezikut të Sigurisë Ushqimore.
Megjithatë, shkalla pozitive për virusin në ushqimin me zinxhir të ftohtë dhe paketat e tij është relativisht e ulët dhe incidentet në rritje të testimit pozitiv kohët e fundit janë për shkak të rritjes së testimit, tha Li. Vetëm 0.0048 për qind e ushqimit me zinxhir të ftohtë ka rezultuar pozitiv deri tani dhe virusi zbulohet kryesisht në paketat e ushqimit. (Elona)