Birra dhe kafeja nga Angola, qilimat nga Irani, sapuni ulliri nga Libani... Në edicionin e tretë të Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE), ka jo vetëm shumë produkte të teknologjisë së lartë, por edhe ushqime e artizanate të veçanta nga shumë vende në zhvillim. Tani, nëpërmjet këtij eventi të vetëm shtetëror në botë që synon importin, shumë produkte kanë gjetur qasje drejt tregut kinez. Për shembull, salca pikante nga Rwanda pasi u paraqit në edicionin e parë të CIIE-së në vitin 2018, është mirëpritur nga konsumatorët kinezë, duke sjellë porosi të pandërprera për prodhuesit vendorë.
Histori të këtij lloji janë të shumta. Në fakt, në dy edicionet e para, departamentet e OKB-së dhe të OBT-së kanë organizuar pjesëmarrjen e afro 100 ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla nga mbi 20 vende me vështirësitë më të mëdha ekonomike. Ndërsa, në edicionin e tretë, shumë shërbime si pavijon dhe transportim falas, organizim i bisedave të posaçme të biznesit etj, u janë ofruar pjesëmarrësve përkatës. Siç mësohet, sipërfaqja e ekspozimit për 30 vendet më të varfra në botë është mbi 4000 metra katrorë në këtë edicion. "Krahas ndikimeve të rënda nga pandemia për tregtinë ndërkufitare, këto masa nuk janë të lehta për t'u marrë", thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG).
Të dhënat nga Organizata Botërore e Tregtisë tregojnë se vëllimi i tregtisë globale të mallrave shënoi një rënie "me domethënie historike" në tremujorin e dytë të sivjetshëm, duke shënuar nivelin më të ulët që nga viti 2007. OKB-ja parashikon që sivjet, 71 milionë banorë do të rikthehen në varfëri ekstreme dhe realizimi i Agjendës së Zhvillimit të Vazhdueshëm 2030 ndodhet para sfidave shumë serioze. Kurse, Kina vijoi organizimin e ekspozitës dhe po ndan me vende të tjera mundësitë e zhvillimit dhe tregun e saj, gjë që shërben si një forcë e madhe nxitëse për ekonomitë që kanë më shumë nevojë për zhvillim. Siç tha, zëdhënësi i OBT-së, Keith Rockwell në një intervistë për CMG-në se "CIIE-ja i ka prezantuar Kinës dhe ndërmarrjeve të mbarë botës kompani nga vendet më të pazhvilluara, duke u sjellë atyre shanse për t'u integruar në sistemin e tregtisë globale".
Në gjuhën kineze ka një shprehje të zgjuar që thotë “pranvera nuk vjen me një lule". Ndërsa, Kina, nëpërmjet platformave si CIIE, po përpiqet ta ndërtojë tregun e brendshëm si një treg për botën dhe për të gjithë, duke shtuar gjallëri për rimëkëmbjen e ekonomisë globale.
"Një Kinë që synon nxitjen e hapjes dhe të zhvillimit të përbashkët, sjell gjithmonë shanse dhe shpresa për gjithë botën", përfundon komenti i CMG-së. (Zhang Yan/Albana)