"3.5 milionë juanë shitje në vetëm tre minuta. Në fillim mendova se kishte një problem me sistemin e numërimit. 3.5 milionë juanë janë pothuajse shitjet tona të të gjithë vitit". Nga salla e transmetimit të drejtpërdrejtë, Zheng Junjie, kreu i një firme spanjolle të tregtimit të verës në Pekin, ishte ende shumë i emocionuar. Gjatë Panairit të 3-të Ndërkombëtar të Importit të Shangait, ai solli një verë të kuqe spanjolle në transmetimin e drejtpërdrejtë të produkteve më të mira në botë, të organizuar nga CMG-ja. Ai nuk e priste që gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë në mbrëmjen e 7 tetorit do të shiste menjëherë 200 000 shishe verë të kuqe. "Tregu i Kinës është shumë magjepsës", tha me entuziazëm Zheng Junjie.

Gjatë Panairit, vetëm dy transmetimeve të drejtpërdrejta të CMG-së u shitën mallra me një vlerë që i kaloi 140 milionë juanët. Një numër i madh produktesh me cilësi të lartë nga Italia, Rusia, Gjermania Franca dhe vende të tjera u blenë menjëherë nga përdoruesit kinezë të internetit. Ky numër i madh shitjesh habiti shumë njerëz që marrin pjesë në panair. Ata thanë se kjo ishte shumë e paparashikueshme.

Andrei Denisov, ambasadori rus në Kinë, e vlerëson shumë një model të tillë të ofrimit të drejtpërdrejtë dhe beson se kjo u ka mundësuar më shumë konsumatorëve kinezë të mësojnë rreth produkteve ruse. Ambasadori spanjoll në Kinë, Rafael Dezcallar, personalisht hyri në sallën e transmetimit të drejtpërdrejtë për të folur lidhur me kulturën spanjolle të ushqimit.

Në fakt, transmetimi i drejtpërdrejtë ka hedhur rrënjë plotësisht në CIIE-në e tretë. Të nxitur nga drejtues të ndryshëm të transmetimeve, një numër i madh shikuesish mund të regjistrohen në cloud dhe ta vizitojnë ekspozitën pa u larguar nga shtëpitë e tyre, duke zgjatur kështu kohën dhe duke zgjeruar hapësirën e CIIE-së. Një raport i fundit nga kompania globale e monitorimit dhe analizës së të dhënave "Nielsen" parashikon që në vitin 2020, vëllimi i tregtisë elektronike të drejtpërdrejtë do të arrijë në 961 miliardë juanë, duke zënë 10 % të vëllimit së përgjithshëm të tregtisë elektronike të Kinës. Publiku i transmetimeve të drejtpërdrejta të tregtisë elektronike do të arrijë në 265 milionë, ose 47.3% e publikut të përgjithshëm të transmetimeve të drejtpërdrejta.

Përmes studios popullore të transmetimit të drejtpërdrejtë, bota ka parë gjithashtu forcën dhe zhvillimin me cilësi të lartë të ekonomisë kineze. Si një nga tre faktorët që nxit rritjen ekonomike, konsumi ka qenë forca e parë lëvizëse e rritjes ekonomike të Kinës për shumë vjet. Në vitin 2019, shkalla e kontributit të konsumit në PBB-në e Kinës arriti në 57.8 %.

Sipas udhëheqësve më të lartë të Kinës, importet e mallrave nga Kina në dhjetë vjetët e ardhshëm pritet t'i kalojnë 22 trilionë dollarët amerikanë. Me një popullsi prej 1.4 miliard banorësh, prej të cilëve 400 milionë me të ardhura të mesme, potenciali i tregut të madh të konsumit të Kinës është një forcë e madhe tërheqëse e CIIE-së për të mbledhur biznesmenë globalë. Kjo jo vetëm që do të vazhdojë të rrisë rritjen ekonomike të Kinës dhe të mundësojë që më shumë kinezë të bëjnë një jetë më të mirë, por gjithashtu do të krijojë më shumë përfitime nga zhvillimi i Kinës për mbarë botën.


CMG-ja komentoi se, ndërsa epidemia e COVID-19 ka goditur rëndë ekonominë botërore, si mund të mos e dëshironin biznesmenët globalë një panair me një kapacitet aq të madh të transportit të mallrave dhe "të kthimit të produkteve në para" në pak sekonda? Si mund të mos e forcojë bashkëpunimin një Kinë që është e vendosur të zgjerojë hapjen e saj dhe të arrijë zhvillimin e përbashkët me botën? Përmes sallës së transmetimit të drejtpërdrejtë, bota ka parë besimin dhe shpresën për rimëkëmbje. (Vera/Artan)