Tregu i shitjes me pakicë i Kinës pritet të shohë një performancë të fortë në tremujorin e katërt, mbështetur në një rikuperim më të shpejtë në aspektin fizik dhe një nxitje e shpenzimeve të konsumatorëve nga festivali i blerjeve në internet në nëntor, bën të ditur në një raport “Fitch Ratings”, cituar nga “Xinhua”.
Shitjet me pakicë në formë fizike, të goditura nga Covid-19 në fillim të këtij viti, u rikuperuan në shtator, vuri në dukje agjencia, duke shtuar se shtimi i fluksit të konsumatorëve ka rritur rimëkëmbjen e restoranteve, kinemave dhe sektorëve të mikpritjes dhe turizmit.
Mes kufizimit efektiv të pandemisë, Kina ka parë një rritje të shpenzimeve të konsumatorit, me shitjet me pakicë të mallrave të konsumit në rritje 0.9 për qind nga viti në vit në tremujorin e tretë, rritja e parë pozitive tremujore këtë vit, bëjnë të ditur të dhënat nga Byroja Kombëtare e Statistikave.
Shitjet me pakicë në internet arritën mbi 8 trilionë juanë (rreth 1.2 trilionë dollarë amerikanë) në tre tremujorët e parë, 9.7 për qind më shumë nga vjet, treguan të dhënat e fundit nga Ministria e Tregtisë. (Fatosi)