Pekin
Në plenumin e 5-të të Komitetit të 19-të Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, që u mbyll më 29 tetor, u publikua një komunikatë, ku përcaktohen objektivat kryesore të zhvillimit ekonomiko-shoqëror të Kinës në pesë vjetët e ardhshëm dhe qartësohen udhëzimet për praktikat përkatëse. Këto objektiva dhe drejtime të përpjekjeve të partisë në pushtet në Kinë përfshijnë: arritjen e rezultateve të reja në zhvillimin ekonomik, ndërmarrjen e hapave të mëtejshëm të reformës dhe hapjes, ngritjen e nivelit të qytetërimit shoqëror, përparimin në ndërtimin e qytetërimit ekologjik, ngritjen e nivelit të jetesës së banorëve dhe përmirësimin e qeverisjes kombëtare.
Pikat kyçe të komunikatës:
Novacioni teknologjik
Të konsolidohet roli i novacionit në modernizimin e vendit, duke e bërë aftësinë tekniko-shkencore forcë mbështetëse të zhvillimit kombëtar.
Industria moderne
Të shpejtohet zhvillimi i sistemit industrial modern dhe të nxitet përmirësimi i strukturës ekonomike. Të përqendrohen forcat te zhvillimi i ekonomisë reale, duke çuar përpara zhvillimin digjital.
Struktura e re e zhvillimit
Të formohet një treg i fuqishëm i brendshëm me krijimin e një modeli të ri zhvillimi. Të këmbëngulet në strategjinë e zgjerimit të kërkesës të brendshme dhe të forcimit të ndërsjellë të qarkullimit të brendshëm dhe atij të jashtëm, duke nxitur në mënyrë të gjithanshme konsumin dhe duke zgjeruar hapësirën e investimeve.
Thellimi i reformës
Të thellohet në mënyrë të gjithanshme reforma me krijimin e sistemit të nivelit të lartë të ekonomisë socialiste të tregut. Të vijojë dhe të përsoset sistemi bazë i ekonomisë socialiste e të lejohet tregu të luajë rolin vendimtar në shpërndarjen e burimeve, duke forcuar transformimin e funksioneve qeverisëse.
Gjallërimi i zhvillimit rural
Të zhvillohen me përparësi bujqësia dhe zonat rurale, duke nxitur në mënyrë të gjithanshme gjallërimin e zhvillimit rural. Të shpejtohet modernizimi bujqësor me garantimin e sigurisë ushqimore në vend.
Zhvillimi rajonal dhe urbanizimi
Të përmirësohet plani i zhvillimit territorial, duke nxitur zhvillimin e bashkërenduar rajonal dhe tipin e ri të urbanizimit.
Nxitja e zhvillimit të sektorit kulturor
Të nxitet zhvillimi i sektorit kulturor dhe i industrisë kulturore, duke ngritur "fuqinë e butë" kulturore të vendit. Të ngrihet niveli i shërbimeve kulturore publike dhe të përmirësohet cilësia kulturore e shoqërisë.
Përmirësimi i mjedisit ekologjik
Të nxitet zhvillimi me lëshim të ulët karboni për bashkëjetesën harmonike të njeriut me natyrën. Të përmirësohen mjedisi, cilësia dhe stabiliteti i ekosistemeve dhe të ngrihet efektshmëria e shfrytëzimit të burimeve.
Hapja e mëtejshme
Të ngrihet niveli i hapjes ndaj botës së jashtme, duke nxitur liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë e të investimeve, si edhe risitë tregtare ndërkufitare, duke promovuar ndërtimin cilësor të nismës "Një brez, një rrugë" dhe duke marrë pjesë aktivisht në reformimin e sistemit të qeverisjes globale.
Përmirësimi i jetesës së banorëve
Të përmirësohet jetesa e banorëve, me përsosjen e sistemit shoqëror. Të shtohet pandërprerë lumturia e masave popullore në të mirë të zhvillimit të gjithanshëm të njeriut dhe të shoqërisë.
Siguria kombëtare
Të forcohet ndërtimi i sistemit dhe i aftësive të sigurisë kombëtare, të garantohet siguria ekonomike dhe e jetës së banorëve, të mbrohet rendi shoqëror.
Zhvillimi i mbrojtjes kombëtare
Të forcohet modernizimi i mbrojtjes kombëtare dhe i ushtrisë.