Autoritetet kineze kanë vendosur objektivin për të ulur me 70 për qind rritjen mesatare vjetore të peshës së fëmijëve të shëndoshë e obezë në dekadën e ardhshme.
Standardi fillestar është mesatarja e përqindjes vjetore të rritjes nga viti 2002 në 2017-n, sipas një plani të publikuar bashkërisht nga gjashtë departamente, përfshirë Komisionin Kombëtar të Shëndetësisë dhe Ministrinë e Arsimit, për të parandaluar dhe kontrolluar mbipeshën dhe obezitetin e fëmijëve dhe adoleshentëve.
Plani përcakton përgjegjësitë e familjeve, shkollave, institucioneve mjekësore dhe organeve qeveritare në arritjen e objektivit.
Anëtarët e familjes duhet t'i ndihmojnë fëmijët të kenë një dietë të shëndetshme, t’u nxisin zakonin e të ushtruarit të rregullt dhe të mbikëqyrin rritjen e peshës së tyre.
Autoritetet do t’u kërkojnë shkollave që të sigurojnë ushqim me vlera të larta dhe të garantojnë kohën për veprimtari fizike, duke vënë në dukje se kopshtet duhet të organizojnë jo më pak se dy orë veprimtari në natyrë nëse e lejon moti, ndërsa shkollat duhet të organizojnë të paktën një orë ushtrime relativisht intensive në ditë dhe më shumë se tre orë veprimtari me intensitet të lartë në javë.
Gjithashtu, prej institucioneve mjekësore kërkohet të forcojnë menaxhimin e peshës dhe masat e ndërhyrjes së hershme kundër obezitetit të fëmijëve, ndërsa organet përkatëse qeveritare nevojitet të rrisin mbështetjen për përmirësimin e infrastrukturës sportive për fëmijët dhe adoleshentët.
Plani është shpallur ndërsa rritja e numrit të fëmijëve mbi peshë në Kinë është bërë një problem kryesor i shëndetit publik që rrezikon shëndetin fizik e mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve.