Markat “Made in Italy”, të prekura rëndë prej pandemisë, po e shikojnë gjithnjë e më shumë Shangain si një mënyrë për të përshpejtuar rimëkëmbjen e tyre.
Ekspozita Ndërkombëtare e Importit në Kinë (CIIE), e planifikuar për në nëntor, është një gur themeli i kalendarit të eksportuesve nga e gjithë bota. Por këtë vit po merr një rëndësi më të madhe.
“Gjatë bllokimit është humbur shumë kohë dhe kjo ka ndikuar në mënyrë dramatike në tregjet ndërkombëtare të importit dhe eksportit”, tha për “Xinhua” Nicola Guerini, menaxheri i përgjithshëm i Institutit të Modës në Milano.
Guerini tha se sektori i modës italiane do ta përdorë ekspozitën si një mënyrë për t’u rishfaqur para konsumatorëve kinezë pas sfidave të muajve të fundit.
Të pranishëm do të jenë edhe shumë sektorë të tjerë të eksportit italian, si fabrikat e këpucëve, prodhuesit e ushqimit dhe verës, krijuesit e stolive, prodhuesit e pajisjeve mjekësore dhe të teknologjisë së lartë.