“Zhvillimi i vaksinave Covid-19 nuk u ndikua nga mutacionet në virus”. Kështu deklaroi Tian Baoguo, zyrtar i Ministrisë kineze të Shkencës dhe Teknologjisë, gjatë një konference shtypi në Pekin.

Sipas tij, Kina i ka kushtuar vëmendje të madhe aspektit të mutacionit të virusit dhe ka angazhuar më shumë se 30 institute kërkimore në të gjithë vendin për të kryer studime monitorimi, shkruan “Xinhua”.

Tian tha se gati 150.000 sekuenca gjenomike të koronavirusit janë futur në bazën e të dhënave globale, duke mbuluar më shumë se 100 vende dhe rajone.

Tian shpjegoi se një analizë e më shumë se 80.000 sekuencave gjenomike me cilësi të lartë tregoi se virusi nuk shfaq shumë variacione dhe se këto nuk kanë ndonjë ndikim thelbësor në zhvillimin e vaksinave.