Pas rinisjes së fluturimeve të drejtpërdrejta ndërkombëtare, autoritetet në Pekin u kërkojnë udhëtarëve që mbërrijnë nga jashtë, të kryejnë tre teste molekulare për Covid-19.
Lajmi u bë i ditur nga Tian Tao, anëtar i grupit të punës së ngritur nga Pekini për parandalimin dhe frenimin e epidemisë së koronavirusit, gjatë një konference shtypi.
Udhëtarët që mbërrijnë nga jashtë në Pekin, shpjegoi Tian, do të duhet t'i nënshtrohen një testi të parë dhe të paraqesin certifikatën me rezultate negative, të paktën pesë ditë para fluturimit. Më pas ata do të duhet të nënshkruajnë një deklaratë mbi gjendjen e tyre shëndetësore dhe të kryejnë një tampon të dytë në doganë dhe më në fund do të ketë dhe një test të tretë pas përfundimit të karantinës në Kinë, shkruan “Xinhua”.
Qëkur Pekini rifilloi fluturimet e drejtpërdrejta ndërkombëtare më 3 shtator, qyteti ka urdhëruar hapjen e 34 hoteleve për vëzhgim mjekësor dhe karantinë kolektive. Sipas zyrtarëve kinezë, një total prej 9437 personash janë strehuar në zona të ndryshme karantine, ndërsa 2905 janë ende nën vëzhgim mjekësor.