Qyteti i Qingdao-s në provincën Shandong të Kinës lindore ka aktivizuar një plan për testimin e acidit nukleik në të gjithë qytetin për COVID-19 pas raportimit të rasteve të reja. Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë dërgoi të hënën një ekip ekspertësh në Qingdao për të drejtuar punën e parandalimit dhe të kontrollit të virusit.

Qingdao ka raportuar gjashtë raste të reja të konfirmuara dhe gjashtë raste të reja asimptomatike me COVID-19, njoftuan autoritetet shëndetësore. Nga hetimet epidemiologjike rezultoi se rastet ishin të lidhura me Spitalin e Kraharorit në Qingdao ku trajtoheshin pacientë të importuar me COVID-19.

Qyteti do të përfundojë testimin e acidit nukleik në pesë distrikte brenda tre ditëve të ardhshme dhe testimi do të mbulojë të gjithë qytetin në pesë ditë, sipas një njoftimi të lëshuar nga Komisioni Shëndetësor komunal, duke shtuar se rezultatet do të dalin në kohën e duhur.

Gjithsej 132 kontakte të ngushta janë analizur në qytet, nga të cilët nëntë rezultuan pozitivë me COVID-19. Të gjithë 171 kontaktet e ngushta kanë hyrë në karantinë dhe janë nën vëzhgim dhe të gjitha rezultatet e testit të acidit nukleik kanë qenë negative, njoftoi të hënën Komisioni.

Rezultatet e testit të acidit nukleik të 840 kontakteve të përgjithshme ishin negative. Një total prej 154 mijë e 815 personash, përfshirë stafin mjekësor, të shtruarit në spital dhe shoqëruesit në Spitalin e Kraharorit në Qingdao, kanë përfunduar testet e acidit nukleik dhe të gjitha kanë rezultuar negativë.

Po ashtu edhe 75296 banorë në komunitet i janë nënshtruar testit dhe të gjithë dolën negativë.

(Albana)