Vaksina eksperimentale për koronavirusin e Institutit të Biologjisë Mjekësore pranë Akademisë Kineze të Shkencave Mjekësore ka qenë e sigurt në fazën e hershme të provës klinike, u shprehën studiuesit.

Në fazën e parë të provës klinike me 191 pjesëmarrës të shëndetshëm të moshës nga 18 deri 59 vjeç, nuk u shfaqën reagime të rënda serioze, thanë studiuesit në një artikull të botuar të martën.

Efektet më të zakonshme anësore te pjesëmarrësit në testim ishin dhimbja e lehtë, lodhja dhe skuqja e lehtë, kruajtjet dhe ënjtjet në vendin e injektimit.

Kjo vaksinë kandidate gjithashtu shkaktoi një përgjigje imune.

Kina tani po kryen provën klinike të 11 vaksinave të COVID-19, 4 ndër të cilat kanë hyrë në fazën e tretë, tha ministri i Shkencës dhe Teknologjisë i Kinës Wang Zhigang në një forum shëndetësor muajin e kaluar.

Wu Guizhen, kryeeksperti i biosigurisë i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të Kinës, bëri të ditur në shtator se vaksinimi i përgjithshëm i popullsisë në Kinë mund të fillojë në nëntor. Sipas tij, faza e tretë e provave klinike po zhvillohet në mënyrë të rregullt. (Xu Guang)