Presidenti i Kinës Xi Jinping mbajti një videofjalim në një mbledhje të nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me rastin e 25-vjetorit të Konferencës Botërore të Grave.

Ndër të tjera, Xi tha se mjeket, infermieret, punonjëset e lagjeve dhe vullnetaret në mbarë botën kanë luftuar në frontin e parë kundër COVID-19. Ndërsa në Kinë, mbi 40 mijë punonjës shëndetësie nga mbarë vendi shkuan menjëherë në Hubei, provincën e goditur më rëndë nga virusi, dhe dy të tretat e tyre ishin gra dhe vajza.

Presidenti Xi shprehu admirim për përkushtimin e tyre në luftën kundër epidemisë:

"Një infermiere e re nga provinca Guangdong nuk kishte mbushur as 20 vjeçe. Kur një gazetar i tha se ajo vetë ishte një vajzë e re, që kishte nevojë për ndihmë nga të tjerët, infermierja iu përgjigj: 'Nuk jam më vajzë e re kur vesh kostumin mbrojtës për të luftuar me virusin!' Ky dialog e ka prekur të gjithë Kinën."

Presidenti kinez tha se pikërisht dhjetëra mijë femra kineze si kjo infermiere e re, që ecën drejt rreziqeve, e kanë mbrojtur Kinën nga virusi. "Guximi i madh dhe puna e tyre në kushte shumë të vështira pasqyrojnë përkujdesin dhe dashurinë e madhe të punonjësve mjekësorë për pacientët. Dua t'i lavdëroj për këtë," u shpreh Xi. (Wang Lei)