Në prag të 75-vjetorit të themelimit të OKB-së, u organizua ditët e fundit forumi në internet "Objektivat e Zhvillimit të Vazhdueshëm të OKB-së 2030 dhe përvoja e Kinës për uljen e varfërisë". Afro 140 ish-funksionarë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe të instituteve të studimit të politikave nga 39 vende dhe rajone të botës diskutuan lidhur me nxitjen e zhvillimit të vazhdueshëm të njerëzimit në bazë të përvojës së Kinës dhe vendeve të tjera të botës për zbutjen e varfërisë.

Të ftuarit në këtë forum ishin të mendimit se pandemia e papritur e koronavirusit është bërë një krizë e madhe përballë mbarë njerëzimit dhe sfida më reale dhe më urgjente për uljen globale të varfërisë. Sipas tyre, tani është bërë më e qartë se bashkësia ndërkombëtare duhet të ndjekë konceptin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit, të këmbëngulë në multilateralizmin dhe të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar, për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e njerëzve.

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon u shpreh se zhvillimi i jashtëzakonshëm i Kinës ka dhënë një ndihmesë shumë të madhe për realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit të OKB-së. Në sfondin e përhapjes globale të epidemisë së koronavirusit të ri dhe shtimit të faktorëve të papërcaktuar, bota duhet të bëjë përpjekje më të mëdha për realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Vazhdueshëm të OKB-së të vitit 2030. Ish-kreu i OKB-së shprehu besimin se njerëzimi mund ta zhdukë varfërinë me sukses, duke e bërë botën më të qëndrueshme, më të lulëzuar dhe më harmonike. Në këtë proces, sipas tij, roli i Kinës është i pashmangshëm.

Kryetari i Grupit Mediatik të Kinës (CMG) Shen Haixiong u shpreh se media luan rol kyç për pakësimin e varfërisë globale, me anë të publikimit të informacioneve, ndarjes së përvojave, nxitjes së komunikimit, krijimit të konsensusit etj. CMG-ja ka regjistruar përvojën e çmuar të Kinës për pakësimin e varfërisë dhe ka marrë pjesë në veprimtaritë për të ashtuquajturën "zbutje e shënjestruar" e varfërisë, duke mbajtur aktivisht përgjegjësinë e vet si medie.

Forumi u organizua nga CGTN-ja e CMG-së, së bashku me Qendrën "Carter" të ShBA-së, Institutin "Schiller" të Gjermanisë, Shoqatën Digjitale Kinë-Evropë me qendër në Belgjikë, institutin e studimit të politikave "Ura Franceze", Institutin e Çështjeve Ndërkombëtare të Afrikës së Jugut, Institutin e Dialogut ndërmjet Qytetërimeve të Rusisë dhe Qendrën e Analizës së Marrëdhënieve Ruso-Kineze "Rogachev". (Xu Guang)