Duke filluar nga sot, Kina do të nxjerrë serinë e posaçme "Masat kundër rikthimit të COVID-19", duke u përqëndruar në masat kundër një vale të re të mundshme të koronavirusit në vjeshtë dhe dimër.

Një epidemiolog i lartë kinez tha se një sistem i zgjuar monitorimit është thelbësor për trajtimin e rikthimit të COVID-19.

Kina ka mobilizuar burimet e saj të shëndetit publik për t'u përgatitur për të gjithë skenarët e mundshëm. Wu Zunyou është kryeepidemiolog në Qendrën Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Sipas tij, është thelbësore që të ruhet një shkallë e lartë vigjilence dhe të aktivizohet sistemi i përgjigjes së shpejtë sa herë që të jetë e nevojshme.

"Është me rëndësi të madhe pasja e një sistemi shumë të ndjeshëm për monitorimin e sëmundjes, kështu që ne mund të identifikojmë çdo rritje sa më shpejt të jetë e mundur."

Wu tha se sistemi kërkon vigjilencë të vazhdueshme dhe përfshirje aktive të publikut, spitaleve dhe profesionistëve të shëndetit publik.

Ekspertët janë të mendimit se sëmundjet sezonale, përfshirë ftohjen e zakonshme dhe gripin, me siguri që do ta ndërlikojnë më shumë gjendjen.

Përveç konfuzitetit në diagnozë dhe mbingarkesës së mëtejshme në sistemin shëndetësor, qarkullimi i sëmundjeve sezonale mund të shkaktojë panik në shoqëri pasi gripi sezonal vret gjithashtu shumë njerëz çdo vit.

Zyrtari më i lartë i kontrollit të sëmundjes pranë Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë, Wang Bin, tha se vendi do të mbajë sistemin e shëndetit publik në gatishmëri të plotë.

"Ne kemi kryer më tej trajnimin e personelit, kemi bërë përgatitje të plotë për epideminë në sezonet e vjeshtës dhe dimrit në drejtim të burimeve njerëzore, pajisjeve, shtretërve spitalorë dhe furnizimeve materiale, për të nxitur aftësinë reaguese ndaj epidemisë në të gjitha aspektet."

Në Pekin, shumë spitale tashmë kanë rindërtuar laboratorët e tyre të bio-sigurisë për testimin e acidit nukleik.

Su Jianrong punon në Spitalin e Miqësisë në Pekin.

"Kemi zgjeruar laboratorin tonë nga 40 metra katrorë në 300 metra katrorë. Ne gjithashtu kemi optimizuar shpërndarjen e pajisjeve dhe personelit, si dhe kemi përmirësuar sistemin tonë të informacionit dhe metodat e marrjes së mostrave."

(Albana)